Pak risi në listën e Argjentinës për dy ndeshjet e radhës ndaj Perusë dhe Paraguait të vlefshme për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018 në zonën e Amerikës së Jugut. Trajneri i La Selecion, Edgardo Bauza nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur në zyrat e AFAS, Federatës argjentinase të Futbollit publikoi emrat e 23 futbollistëve të grumbulluar për dy sfidat e muajit tetor. Bie në sy rikthimi në kombëtare i dy sulmuesve, Sergio Aguero dhe Gonzalo Higuain, të cilët munguan në sfidat e muajit shtator ndaj Uruguait dhe Venezuelës. Reparti i sulmit është edhe ai më i mbipopulluari sepse trajneri Bauza përveç kapitenit Leo Messi ka përfshirë në listë edhe Paulo Dybala, Lucas Pratton, Angel Correan, Eric Lamelan, Angel di Marian, si dhe Nicolas Gaitan. Në lidhje me Agueron dhe Higuain, Bauza u shpreh se ai ka biseduar me të dy sulmuesit, tashmë ata janë shumë më mirë fizikisht dhe njëkohësisht shumë të lumtur që do t’i bashkohen kombëtares argjentinase për dy ndeshjet e radhës.
Jo vetëm përfaqësuesja albiceleste, edhe Brazili publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për dy takimet e radhës për kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Bolivisë dhe Venezuelës. Pas një periudhe të gjatë rikthehen në përfaqësuese mbrojtësi Thiago Silva dhe mesfushori i Chelsea-t, Oscar. Të dy lojtarët janë grumbulluar nga trajneri Tite, i cili për këto dy ndeshje ka lënë jashtë sulmuesin më të ri të Interit, Gabriel Barbosa i njohur nga të gjithë si Gabigol. Mungon sërish mbrojtësi i Chelsea-t David Luiz, ndërsa në mesfushë spikat emri i Gulianos mesfushorit që po shkëlqen me fanellën e Zenitit në Rusi gjatë kësaj periudhe. Në sulm emrat e përzgjedhur nga trajneri Tite janë Neymar, Douglas Costa, Firmino dhe Gabriel Jesus. Numri 1 i stolit të 5 herë kampionëve të botës në konferencën për shtyp ku bëri të ditur emrat e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet ndaj Bolivisë dhe Venezuelës foli për rikthimin e Thiago Silvës te Selecao. Në momentin që mora drejtimin e Brazilit gjëja e parë që dëshiroja të bëja ishte të riktheja në skuadër, Thiago Silvën dhe Marcelon deklaroi Tite, pasi kam parë shumë dëshirë te këta dy lojtarë pasi të dy e ndiejnë shumë fanellën e Brazilit. Ata mund të kenë gabuar në të kaluarën, por unë nuk jam këtu për të gjykuar askënd shtoi në përfundim Tite.