Lionel Messi ishte plot emocione të përziera dhe stresuese gjatë fitores së Argjentinës kundër Kolumbisë në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës 2021, që flet shumë për dëshirën e pashterur të 34-vjeçarit për ta arritur lavdinë me ekipin e vet kombëtar.
Gjysmëfinalja mes Argjentinës dhe Kolumbisë u desh të përcaktohej me penallti, pasi takimi i rregullt prej 90 minutave nuk dha fitues duke përfunduar baras 1:1, raporton.
Martinez, i cili u përpoq t’i shpërqendrojë kundërshtarët me fjalë, ishte heroi i vërtetë i Argjentinës duke i mbrojtur gjuajtjet e Davinson Sanchez, Yerry Mina dhe Edwin Cardona nga pika e bardhë. Ndërsa Lionel Messi, Leandro Paredes dhe Lautaro Martinez shënuan për Argjentinën, për ta siguruar një vend në finale kundër Brazilit.
Gjatë gjuajtjeve nga pika e bardhë Messi, i cili gjuajti i pari dhe shënoi për Argjentinën, ishte shumë i zëshëm dhe shumë emocional.
Paraqitjet e tij në fushë gjatë këtij turneu dhe reagimet emocionale tregojnë sesa e rëndësishme është për Messin ta fitojë trofeun e parë në karrierë me Argjentinën, që është gjëja e vetme që i mungon atij në një karrierë madhështore dhe të shkëlqyeshme.
Argjentina është në kërkim të trofeut të parë të madh ndërkombëtar që prej vitit 1993, kur e fitoi Kupën e Amerikës, dhe përsëri Messi ishte njeriu i ndeshjes, duke e prodhuar asistin e pestë të turneut, në të cilin i ka shënuar edhe katër gola.
Argjentina i ka shënuar 11 gola deri tani në Kupën e Amerikës 2021 dhe Messi është përfshirë në 10 prej tyre. 34-vjeçari i ka shënuar 4 gola, i ka bërë 5 asiste dhe i ka përgatitur dy golat e tjerë.
Skuadra e Lionel Scalonit është e pamposhtur në 19 ndeshje, që prej disfatës kundër Brazilit në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës 2019.