Mauro Ikardi, Gonzalo Higuain, Argjentina dhe Gerardo Bauza kanë qenë nën “lupën” e Hernan Krespos, i cili, në një prononcim për “Goal.com”, komentoi zhvillimet e fundit në Kombëtaren dy herë kampione bote.
Si një ish-lojtar i Serisë A italiane, Krespo nuk do që ta besojë se Mauro Ikardi nuk ftohet në kombëtare për motive që kanë të bëjnë me çështje teknike. “Mauro Ikardi meriton të grumbullohet, edhe pse Argjentina ka në sulm lojtarë si Mesi, Aguero dhe Higuain. Shpresoj shumë që arsyet e ftesës së munguar nga ana e Bauzës të mos kenë lidhje me zgjedhjet teknike të trajnerit. Do të shqetësohesha shumë nëse Ikardi do të qëndronte jashtë kombëtares, pasi trajnerit nuk i pëlqejnë karakteristikat e tij. Po flasim për një lojtar të madh. Kam shumë besim tek inteligjenca e Bauzës”, tha autori i 273 golave në 605 ndeshje që ka luajtur me River Plejtin, Parmën, Lacion, Interin, Çelsin, Milanin, Xhenoan dhe Kombëtaren argjentinase.
“Valdanito” i qëndron besnik idesë së tij dhe pranon se, Bauza mund të ketë vetëm një arsye të fortë që të mos grumbullojë një bomber si 24-vjeçari. “Mendoj se Mauron nuk e kanë ftuar së fundmi për çështje respekti. Duan që t’i kursejnë stolin. Ai është kapiteni i Interit dhe një lojtar të tillë mund të mos e ftosh vetëm për çështje respekti”, vazhdoi Krespo.
Në fund të fjalës së tij, 41-vjçari nuk iu shmang as pyetjes famëkeqe. “Mendoj se si Gonzalo Higuain dhe Mauro Ikardi janë dy sulmues të mëdhenj. Për Gonzalon kam fjalë të mira, pasi ka shënuar shumë gola dhe ka reaguar mjaft mirë në momentet më të vështira të karrierës, por më duhet ta pranoj se ai në ndeshjet e mëdha ‘humb’. Them se në finalet e rëndësishme, Gonzalo nuk është deciziv.
Ndryshe mendoj për Mauriton, i cili është një sulmues tipik zone dhe se përjeton me mjaft gjakftohtësi edhe situatat më të vështira. Ikardi është sulmues i vërtetë zone”, pranoi Krespo, i cili, me fanellën e Argjentinës ka shënuar 35 gola në 64 takime.
Për një kualifikim në Botërorin e vitit 2018, argjentinasit nuk i kanë më shpresat te Leo Mesi, por te një yll i ri i futbollit të këtij vendi. Në një sondazh të realizuar nga “Ole”, që pyeste lexuesit se cilët lojtarë duhet të grumbulloheshin ende në kombëtare pas rezultateve të dobëta të ndeshjeve të fundit, ishte Paulo Dybala, ai që mori më shumë vota.
Sulmuesi 23-vjeçar i Juventusit është shpresa e re e “Albiceleste”-s. Kolegët e tij në sulm nuk po kalojnë aspak një moment të mirë: Mesi u dënua me 4 ndeshje pezullim nga FIFA për ofendime të gjyqtarit anësor në ndeshjen ndaj Kilit, ndërsa Aguero dhe Higuain nuk treguan asgjë nga niveli i tyre në këtë takim. Argjentina renditet në vendin e pestë në grupin kualifikues të Botërorit 2018 të Amerikës së Jugut, pas Brazilit, Kolumbisë, Uruguajit dhe Kilit.