Argjentina, Simeone ose Bielsa për stolin

Kaosi i krijuar rreth kombëtares argjentinase rrezikon të prekë edhe Atletico Madrid ose Lazio-n. Pas tërheqjes së Lionel Messit nga kombëtarja, “albicelestët” rrezikojnë të mos paraqiten në Olimpiadën Rio 2016, pasi klubet nuk i lejojnë lojtarët, ndërsa në situatën e krijuar trajneri Martino paraqiti dorëheqjen. Kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e stolit janë Diego Simeone dhe Marcelo Bielsa, pavarësisht se dy teknikët kanë kontrata me klubet përkatëse.
Megjithatë, në marrëveshjen e Simeone-s me Atletico Madrid, ekziston një klauzolë që e lejon të largohet, vetëm në rast të emërimit në përfaqësuesen e Argjentinës. “El Cholo” nuk e ka fshehur asnjëherë ëndrrën për të drejtuar “albicelestët” dhe kjo e tanishmja është një mundësi reale. Me Simeone-n në krye të stolit, edhe Lionel Messi mund të ndryshojë mendim dhe të vazhdojë të përfaqësojë vendin e tij në arenën ndërkombëtare.
Emri tjetër i përfolur është ai i Bielsa-s. Ish-trajneri i Kilit duhej të ishte paraqitur për në Romë, për të drejtuar stërvitjen e parë të Lazio-s, që u anulua pasi në grumbullimin në Formello u paraqitën vetëm futbollistët, por jo stafi teknik. Gjithçka mbetet për t’u zbuluar, por sipas mediave latine, Bielsa është një prej kandidatëve kryesorë, sepse ka eksperiencën e duhur ndërkombëtare dhe e njeh ekipin e Argjentinës, të cilin e ka drejtuar nga viti 1998 deri më 2004-ën. Të tjerë emra në garë janë Pochettino, Gallardo e Sampaoli.
Gerardo Martino jep dorëheqjen nga stoli i përfaqësueses së Argjentinës. Pas një takimi që pati me drejtuesit e Federatës së Futbollit, trajneri 53-vjeçar vendosi të largohet nga stoli i kombëtares “albiceleste”. Vendimi i Tata Martinos vjen vetëm pak ditë pasi Lionel Messi komunikoi tërheqjen nga ekipi përfaqësues, ndërkohë që në orët e fundit edhe babai i Sergio Agueros ka kërcënuar se nëse ylli i Barcelonës nuk rikthehet te Argjentina edhe djali i tij do t’i japë lamtumirën kombëtares. Përfundon pas 2 vjetësh me dy finale të humbura ndaj Kilit në Kupën e Amerikës, aventura e Tata Martinos në stolin e La Selecion.
Largimi i trajnerit 53-vjeçar nuk duhej në këto momente sepse pas një muaji Argjentina U-23 do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016, ku do të ketë në përbërje lojtarë si Luciano Vietto apo Angel Correa. Përpara se të merrte vendimin për të dhënë dorëheqjen, Gerardo Martino pati një takim me zëvendëspresidentin e federatës argjentinase, Claudio Tapia ku i shprehu këtij të fundit problemet që kishte hasur për të shpallur listën e lojtarëve që do të përfaqësojnë Argjentinën në Lojërat Olimpike dhe gjatë kësaj mbledhjeje vendosi të jepte dorëheqjen.

Exit mobile version