Arkës së Kosovës i mungojnë 112 milionë euro

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i buxhetit, përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë bërë të ditur se buxheti i shtetit do të përballet me vështirësi në kryerjen e obligimeve.
“Janë 112 milionë euro mungesë në buxhetin e shtetit”, ka deklaruar ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti.
Kjo mungesë e mjeteve buxhetore për kryerjen e obligimeve që ka qeveria, nga ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësohet se do të përcillet me pasoja të mëdha për ekonominë e gjithmbarshme të vendit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se pasojat mund të jenë të pariparueshme, në rast të moskonstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe më pas rishikimit të buxhetit.
“Nëse nuk do të kemi rishikim të buxhetit dhe kemi këtë mungesë të mjeteve jo vetëm që do të dështojnë projektet kapitale, qoftë në infrastrukturë, qoftë në fushat e tjera, por do të jetë një goditje e drejtpërdrejtë për sektorin privat, sepse sektori privat në pjesën dërrmuese është zbatues ose ekzekutues i këtyre punëve”, thotë Gërxhaliu.
Një nga projektet për të cilat obligimet kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, është autostrada Prishtinë-Hani i Elezit.
Një pjesë e konsiderueshme e obligimeve për këtë kontratë ishin paraparë nga mjetet që vijnë prej Agjencisë kosovare të Privatizimit, për të cilën duhet të ndryshohet ligji për AKP-në, për të mundësuar tërheqjen e këtyre mjeteve.
Por, në mungesë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ky ligj ka qenë e pamundur që të procedohet.
Përveç të tjerash, mungesë në buxhetin e shtetit janë edhe 24 milionë euro për veteranët e luftës.
Mungesa e këtyre mjeteve buxhetore të shtetit, për njohësin e çështjeve ekonomike Ismail Kastrati, paraqet probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, kjo do të paraqesë rënie ekonomike, rënie në investime dhe në konsum.
“Çdo çrregullim buxhetor ndikon negativisht në rrjedhën e parasë dhe në zgjedhjen e problemeve buxhetore. Më pak para buxhetore në qarkullim situata më e rëndë është për ekonominë dhe përgjithësi zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thotë Kastrati.
Ndërkohë, Safet Gërxhaliu thotë se partitë politike që do të përbëjnë legjislaturën e re duhet të angazhohen që sa më shpejt të krijojnë institucionet e reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit, pasi që pasojat nga ky vakum politik, sipas tij, janë të mëdha.
“Fakti që në këtë vit do të kemi prapë zgjedhje, siç janë ato lokale dhe është paraparë që të kemi fushatë parazgjedhore njëmujore, vërtet është një situatë që nuk i bën nder Kosovës, nuk i bën nder stabiliteti social bazuar në zhvillim ekonomik dhe nuk i bën mirë proceseve integruese në të cilat Kosova pretendon apo të paktën mendon që të jetë”, thekson Gërxhaliu.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tanimë ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor. Ky rezultat pritet të çertifikohet dhe më pas, brenda një muaji të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërGjykata nuk pranon arrestimin e Gruevskit