Barcelona ka bërë të ditur arkëtimet për sezonin e shkuar. Klubi blaugrana mund të krenohet se ka fituar gjatë edicionit 2015-2016 një rekord prej 679 milionë eurosh, duke përfshirë këtu dhe përfitimet nga merkatoja, pa të cilat arkëtimet neto vërtiten rreth 630-635 milionë euro. Barcelona që pritet të zyrtarizojë gjithçka nëpërmjet një konference shtypi të drejtuesve këtë të enjte ka kaluar në këtë mënyrë për herë të parë Realin e Madridit që duhet të ketë regjistruar rreth 620 milionë euro neto në sezonin 2015-2016 dhe që ka qenë në krye të klasifikimit europian për fitimet për 11 sezone radhazi. Por të dy skuadrat spanjolle me siguri do të parakalohen nga Manchester United, i destinuar që të zërë vendin e parë falë rritjes së të ardhurave të të drejtave televizive dhe kontratave të sponsorizimit.
Djajtë e Kuq kishin parashikuar arkëtime mes 500 deri në 510 milionë paund, që falë kursit të favorshëm bëjnë 670-680 milionë euro. Bëhet fjalë për hapa të mëdhenj përpara për të gjitha klubet e mëdha të Europës, duke marrë në konsideratë se në sezonin 2014-2015 Reali kishte faturuar 578 milionë euro, Barcelona 566 milionë dhe Manchester United 519 milionë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për futbollin italian, që shikon konkurrentët e tij të vrapojnë gjithnjë e më shumë në planin ekonomik, ndërsa në Itali gjërat kanë mbetur pas. Juventusi, lider absolut në Itali me të paktën 150 milionë euro avantazh ndaj skuadrave të tjera të Serisë A përsa i përket arkëtimeve, besohet se ka fituar 350 milionë euro dhe siç mund të vihet re lehtësisht diferenca mes elitës europiane dhe skuadrës më të pasur në Itali është vërtet e madhe. Ndoshta dhe për këtë arsye drejtuesit bardhezinj kanë bërë këtë verë blerje të fuqishme, në mënyrë për të arritur të tjerë kufij për sa i përket përfitimeve.