Arkitekti i Ramës: Kulla 17 katëshe edhe në Qytetin “Studenti”

Exit.al

Peter Wilson, arkitekti i “oborrit” të Kryeministrit Rama nuk e fsheh moton e tij “më interesojnë jo planet, por projektet konkrete me klientë që paguajnë”. Këtë moto e ka bërë të qartë edhe në diskutimet për planet rregullatore të qyteteve, në të cilën ai është i përfshirë . Kjo thënie e zotit Wilson shpjegon qasjen novative mashtruese, me arkitektë të huaj, të përdorur nga Edi Rama e të tjerë nga viti 2000 e këtej për t’i shitur si zhvillim modern projektet e tyre klienteliste dhe shkatërruese të qyteteve tona. Arkitekti “i jashtëm” Wilson projektoi në mes të sheshit qendror të Korçës-ndoshta qytetit të vetëm që i kishte shpëtuar betonit të tranzicionit-një kullë betoni që i ngjan aq shumë kullave të vrojtimit të burgjeve apo atyre përgjatë ish-murit të Berlinit. Ai projektoi në mes të Parkut të Liqenit të Tiranës një park lojërash me platforma e mure betoni që nuk do guxonte ta imagjinonte në asnjë vend tjetër të botës. Madje në Parkun e Liqenit, ai kishte planifikuar edhe një kafene disa katëshe edhe një kullë vrojtimi si ajo e Korçës, të cilat u hoqën nga frika e reagimit të publikut. Arkitekti “i jashtëm” Wilson ka propozuar edhe një urë-dashtë zoti jo prej betoni-në mes të Liqenit të Tiranës, për të krijuar lehtësi lëvizjeje midis anës veriore të parkut dhe anës jugore të tij, mbase për VIP-at apo holandezët që jetojnë tek vilat në park. Zotëria “i jashtëm” ka propozuar edhe që Qyteti “Studenti” të mbushet me kulla 10-17 kate-në disa kate të të cilave do të jetojnë studentë, ndërsa në pjesën tjetër do të lulëzojë partneri publik-privat e do ketë apartamente private për shitje, si në çdo pjesë tjetër të Tiranës. Mbase ai do të projektojë e ndërtojë-përgjatë Liqenit të Pogradecit, hartimin e planit rregullues të të cilit e “fitoi” para pak kohësh-struktura të lehta betoni, të cilat do t’i japin jetë liqenit: shtëpiza betoni e, mbase, varka betoni apo ndonjë pulëbardhë betoni. Në fund të fundit, aftësitë krijuese prej betoni të arkitektit të “jashtëm” Wilson duket se nuk shterojnë!
Pazaret e Wilson me Ramën
Arkitekti Peter Wilson, i firmës Bolles+Wilson, i cili ka projektuar këndin e lojrave të Parkut të Liqenit, praktikisht “jeton” me projektet e qeverisë shqiptare. Ardhja në pushtet e Kryeministrit Rama duket se i ka siguruar kontrata të shumta firmës së tij. Të dhënat publike të vetë firmës, dëshmojnë se, gjatë dy viteve të fundit, pothuajse të gjitha projektet e saj kanë qenë projekte të qeverisë shqiptare. Vetëm në vitin 2015, firma ka përfituar kontrata me vlerë rreth gjysëm milionë dollarë nga qeveria shqiptare. Në shumicën e rasteve, Bolles+Wilson është kontraktuar në konsorcium me firmën Atelier 4—firmë e njohur për lidhjet e ngushta me Kryeministrin Rama që nga koha kur ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Lista e projekteve kryesore të firmës gjatë vitit 2014-2015 përfshin:
•    Stadiumin Loro Boriçi në Shkodër
•    Kullën në qendër të qytetit të Korçës
•    Planni rregullues të qytetit të Korçës
•    Katër sheshe publike në qytetin e Korcës
•    Mastër planin e Parkut Rinia, Korçë
•    Qëndër sportive stërvitore kombëtare, Korçë
•    Planin rregullues të qytetit të Pogradecit
•    Mastër planin e Parkut të Liqenit, Tiranë
•    Pesë projekte pilote në Parkun e Liqenit, Tiranë
Bolles+Wilson është, gjithashtu, firma projektuese e godinës 13 katëshe, që ka filluar të ndërtohet në hyrje të parkut të liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik, në Tiranë. Leja shumë e debatuar për këtë ndërtim u dha nga zotërinjtë Rama dhe Veliaj, në shtator 2015, menjëherë pas zgjedhjes së Zotit Veliaj në krye të Bashkisë Tiranë. Zoti Veliaj kishte premtuar në fushatë se nuk do të kishte ndërtime në atë zonë. Është interesant fakti që në këtë projekt arkitekti Wilson nuk ka respektuar asnjë kriter urbanistik, duke zaptuar me ndërtim 100 për qind hapësirën në hyrjen e parkut, pa lënë asnjë cm katror hapësirë të gjelbër anash ndërtimit. Lidhja e Bolles+Wilson me Zotin Rama duket se është e hershme. Bolles+Wilson ka kontribuar në dizenjimin e lyerjes së fasadave të pallateve në kohën kur Rama ishte kryebashkiak. Kjo firmë ka krijuar, në vitin 2004, dizenjimin e motivit të lyerjes së pallatit me kuadrate vishnje e të bardha në kryqëzimin kryesor të bllokut, godina ish-Manhatanit

Artikulli paraprakRevolucion te PSG
Artikulli tjetërMotra e Taulant Ballës reagon për dhunën te Liqeni: Më vjen turp që votova këta njerëz