Nga Enriketa Papa
Puna në arkiv është alfa (A) dhe omega (Ω) për mua. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur has në ndonjë informacion apo dokument origjinal, mbi të cilin shumë pak informacion ka. Ndërsa gëzimi kalon çdo skaj imagjinate, kur dokumenti që të bie në dorë është i pacituar diku. Pakkush, përveç atyre që ia dinë vlerën e zbulimit të dokumentit, mund të gëzohen si fëmijë, tek lexojnë dhe kuptojnë çfarë kanë zbuluar. Në vitet pak a shumë të gjata, prej 2002 punë disi sistematike në arkiv, “zbulimi” i rastësishëm i dokumentave të reja, më kanë rënë në dorë vetëm dy herë. I pari ishte, jo aq “zbulim” i imi personal, por i një kolegu dhe miku austriak, në Arkivin e Luftës në Paris, që falë bashkëpunimit të gjatë të përbashkët me mua dhe një tjetër mike të vyer, GK, na e vuri të plotë në dispozicion, për ta zbardhur dhe përmbledhur të tre zbulimin, me një botim të vëçantë që po përgatisim. I jam shumë mirënjohëse!
I dyti, ka të bëj me një “zbulim” timin, nëse guxoj ta emërtoj të tillë, të cilin rastësisht e hasa, duke punuar këto 3 muaj pothuajsë sistematikisht në arkiv, për shkak të një artikulli që duhet ta dorëzoj, por edhe prej një studimi monografik që kam nisur. Gjithësesi, përveç hasjes në një dokument të ri, duhet punë më vete, për ta konfirmuar që fakti që përmendet në dokument është vërtetë i “pazbuluar” më parë. Pra puna kërkimore kërkon impenjim, durim, por dhe këmbënguljen e një arkeologu për të nxjerrë dalngadalë, duke spastruar dhe liruar me furçë e pincetë nga nëntoka objektin e zbuluar. Njësoj dhe historianët, do duhet të gërmojnë në të tjera arkiva dhe botime mbi “faktin e ri të pazbuluar”. Por besoj se fakti që kam zbuluar, nuk është hasur më parë. Dhe më mbetet vëtëm ta konfimoj nga krahasimi i dokumentave arkivorë që një pjesë dhe i disponoj.
E pur.. për kënaqësinë e punës në arkiv me dokumenta origjinalë, të cilët të shpalosin të tjera horizonte në faktet që ke lexuar dhe di, që këto dokumenta edhe t’i konfirmojnë, po botoj një kërkesë të nëshkruar nga Giulio Bertè, Kryeinxhinieri i Planifikimit Urban, nën ombrellën e Florestano Di Fausto-s në Shqipëri përgjatë viteve 1925-1943. Vetë Bertè është autor i një sërë bocash dhe projektesh urbane, ndërtesash publike dhe private përgjatë periudhës së shndërrimit modern të Tiranës kryeqytet, por jo vetëm. Teatri Kombëtar ishtë projekt i tij, që ky shtet nuk diti ta ruaj, si një xhevair të stiliit racionalist të De Chirico-s. Por e shembi me lehtësi arrogante dhe fodullek, në orën 4 të mëngjesit me eskavator, duke sinjalizuar triumfin e arrogancës së makropushtetit përmes drejtorëve zagarë të mikropushtetit të Tiranës. Uroj që SPAK t’i kyçë gjatë, pas dyerve të birrucave.
Në Korrik 1939, Bertè i drejton Komisionit të planifikimit urban, për të ashtuquajturën pjesë urbane të Tiranës së Re (lagjet e reja të qytetit, kryesisht në akset me drejtim Jug-Perëndim) një kërkesë për t’i dhënë një parcelë trualli, për të ngritur shtëpinë e tij. Kjo traditë u vu nga Zogu që më 1927, si një komoditet për nëpunësit e lartë, për t’ju mundësuar dinjitet dhe mbajtur larg miklimeve korruptive. Kësisoj, me anë të rrogave të larta dhe komoditeteve pronësore, nëpunësit do t’i përkushtoheshin shndërrimit modern të shtetit dhe konsolidimit të pushtetit të ri politik. Nëse Tirana, për të cilën kemi nostalgji, dhe po shohim të çbëhet, është ajo e vilave moderne, 2-3 katëshe, me dyqane në katet përdhè, ballkone të mëdha, të dala jashtë fasadës, oborre të hijshme dhe të rrethuara nga kangjella dhe mure jo të larta, është pikërisht falë kësaj iniciative të Ahmet Zogut president, dhe më pas Mbret i Shqiptarëve. Kjo politikë u vijua edhe nga regjimi fashist, pas 7 Prillit 1939, si një politikë efikase për të nxitur përkushtimin e nëpunësve të lartë ndaj pushtetit. Pas Prillit 1939 nëpunësit e lartë të pushtetit politik qëndror dhe lokal, anëtarët e organeve të drejtësisë dhe të gjyqsorit (gjykatës, noterë, avoketër), mjekë me emër dhe nëpunës të lartë të administratës publike, iu dha mundësia të blinin me një çmim relativisht më të ulët se tregu, 0.30 franga ari/m2 parcela trualli për të ngritur vilat e tyre. Falë kësaj iniciative Tirana u shndërrua në një kryeqytet modern, ku lartësia e godinave publike dhe private, në pjësën e re të saj nuk do i kalonte 4-5 katet.
Nëse bota ruan me fanatizëm pjësët e vjetra të qyteteve, me shtrësëzimet urbane dhe arkitekturore, sipas epokave përgjatë të cilave ka kaluar qyteti, dëshmi edhe të trashëgimisë urbane, tjetër panoramë shfaqet në Tiranë. Makutëria e pushtetit, arroganca dhe përbuzja ndaj vlerave të së kaluarës, bën që sot Tirana të shndërrohet në një qytet pa kujtesë urbane. Përkundrazi, babëzia e ndërtimeve nuk ka të bëjë vëtëm me mpleksjen e interesave pushtet-oligarki. Por mendoj që është shumë më tepër. Ka të bëjë edhe me fodullëkun dhe arrogancën për të implementuar një vizion të qartë në Tiranën urbane. Sot Njëshi i plotfuqishëm në kulmin e çdo pushteti, po imponon vizionin e tij të “Tiranës pa kujtesë”, një qytet-në-harresë, Tirana në amnezi. Ky qytet në harrësë, po shndërrohet fuqishëm në një kakofoni urbane ndërtimesh me kulla dhe godina shumëkatëshe, kryesisht në qendrën urbane që po i mbivendosen dhunshëm shtresëzimeve arkitekturore dhe urbane të mëparshme, duke diktuar vijimin e rrumpallës kaotike të tranzicionit urban. Tirana-në-harresë imponon ndjesinë e mbytjes, zvogëlimin e individit përballë arrogancës së pushtetit, të mishëruar edhe tek kullat dhe imponimi i amnezisë urbane. Liria dhe individualizmi urban po mbytet nga kakofonia urbane dhe gjigandomania e kullave në qendrën e qytetit. Vizioni i Njëshit, “Tirana 2030” është mishërimi i diktatit politik për skalitjen në histori, si një aktor shënjues i fateve të banorëve dhe i historisë urbane të vetë qytetit në post-diktaturë.
Tashmë nga fasadat shumëngjyrëshe, qyteti ka kaluar tek periudha e një A & Ω urbane të vizionit hegjemonik të Njëshit të plotfuqishëm që vijon projektin e një Tirane-në-harresë urbane.