Arlind Ajeti kthehet në fushë, ekzaktësisht një muaj pas dëmtimit muskulor, që e detyroi të largohej mes dhembjeve nga ndeshja testuese te Torino. Pas periudhës së rikuperimit, mbrojtësi shqiptar ka nisur vrapimet në fushë, duke hyrë në fazën finale të rehabilitimit, ku gjatë kësaj kohe lojtari do të punojë i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës.
Synimi është të vlerësohet nëse lëndimi është kaluar plotësisht, në mënyrë që më pas Ajeti të punojë për të rritur kondicionin fizik dhe të jetë plotësisht i gatshëm për të luajtur. Sinjalet e dhëna nga mbrojtësi duken pozitive, megjithatë për momentin nga stafi mjekësor i Torinos nuk jepet asnjë datë konkrete, për periudhën kur parashikohet që mbrojtësi kuqezi të vihet në dispozicion të trajnerit Mihajloviç, për të shpresuar në debutimin sezonal me “granatat” në Serinë A.
Për momentin nuk mund të thuhet as nëse Arlind Ajeti do të jetë i gatshëm në kohë për kombëtaren shqiptare, në ndeshjet kualifikuese të muajit tetorit kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës. Gjendja e lojtarit do të monitorohet me kujdes edhe nga stafi teknik i kuqezinjve, për faktin se askush nuk dëshiron që 22-vjeçari të rrezikojë për të pësuar një dëmtim të tretë në këtë start të sezonit.