Arlind Ajeti në stërvitje me Torinon

Arlind Ajeti është i vetëdijshëm se Torino është shansi i tij i madh në karrierë. Mbrojtësi shqiptar konfirmoi fjalët e thëna në prezantimin zyrtar në radhët e ekipit “granata”, duke u paraqitur në ditën e parë të grumbullimit për sezonin e ri. Edhe pse kishte ende disa ditë në dispozicion për të qëndruar pushim, pas angazhimit me Kombëtaren shqiptare në Kampionatin Europian, 22-vjeçari zgjodhi të vendosej menjëherë nën urdhërat e trajnerit Sinisa Mihajloviç.
Mbrojtësi i Kombëtares vendosi të ndërpriste pushimet, për të mos humbur momentet e para si lojtar i Torinis, një vendim që duket se e ka shpërblyer. Në qendrën sportive “Sisport” mbizotëronte entuziazmi, me 5 mijë tifozë të pranishëm që e shndërruan stërvitjen e parë të skuadrës në festë. Menjëherë pas seancës përgatitore, trajneri Mihajloviç vendosi që lojtarët mund të takoheshin me tifozët për të dhënë autografe dhe realizuar fotografi.
Kjo bëri që Arlind Ajeti të njihej menjëherë me entuziazmin e mbështetësve “granata”, të cilët i shfaqën të gjithë afeksionin e nevojshëm mbrojtësit, që shumë shpejt do të kthehet në idhullin e tyre.

Artikulli paraprakNjë Europian kuqezi
Artikulli tjetërBerisha dhe Strakosha në fazën përgatitore