Një vit plot dritëhije për Arlind Ajetin. 2016-ta e mbrojtësit shqiptar mund të konsiderohet një periudhë aspak e qetë. Fillimisht, pjesëmarrja në Euro 2016 ku dhuroi disa paraqitje vërtet mbresëlënëse dhe më pas errësirë. Mbrojtësi shqiptar që sezonin e shkuar la shenjë në radhët e Frosinones u transferua këtë verë te skuadra e Torinos. Trajneri Sinisa Mihajloviç e kërkoi ta bënte pjesë të Torinos së re me shumë emra të rëndësishëm, por vetëm kaq. Dëmtimi që e la jashtë fushave menjëherë pas fazës përgatitore, eklipsoi momentin pozitiv të 23-vjeçarit shqiptar të lindur në Basel. Ende asnjë minutë në kampionat në këmbët e mbrojtësit kuqezi që e mbyll vitin me një bilanc negativ në radhët e Torinos, por gjithsesi pozitiv në harkun e 12 muajve të fundit.
Gjatë ditëve të para të muajit tetor, ai u vendos nën urdhrat e trajnerit Mihajloviç, por mediat italiane e shikojnë të ardhmen e tij larg kryeqendrës së Piemontes, prandaj merkatoja e janarit mund ta zhvendosë lojtarin shqiptar në një tjetër skuadër. Janë kryesisht skuadrat italiane që po ndjekin 23-vjeçarin me Pescaran dhe Crotonen në radhë të parë. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që mbrojtësi shqiptar të zgjedhë një destinacion jashtë Italisë. Për momentin është lojtari që do të thotë fjalën e fundit edhe pse me kalimin e muajve, ai mund të fitojë besimin e Mihajloviç pas paraqitjes pozitive në sfidën e parë të Kupës së Italisë kundër Pisas.