Mund të zgjidhte rrugën më të shkurtër me premtimin për një vend titullari në një skuadër tjetër, por Arlind Ajeti preferon të luftojë për të fituar besimin e trajnerit Sinisa Mihajloviç te Torino. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, i përfshirë në zërat e merkatos së janarit për një largim të mundshëm nga Torino nuk dëshiron të mbyllet këtu kjo aventurë. Në një shkrim të publikuar në gazetën piemonteze, “Tuttosport”, theksohet se 23-vjeçari që deri tani ka pasur në dispozicion vetëm 120 minuta në këmbët e tij, kërkon të tregojë se vlen për skuadrën. “Shqiptari mbërriti gjatë muajve të verës me parametra zero pas 6 muajve pozitivë në radhët e Frosinones.
Gjithashtu, ai erdhi pas Europianit të zhvilluar nën drejtimin e Gianni de Biasit, madje ai arriti ta ruante për dy herë të paprekur portën e Berishës, ndaj Rumanisë, por edhe ndaj Francës deri në momentin e zëvendësimit. Për këtë arsye, afrimi i tij te klubi ‘granata’ u prit me optimizëm nga tifozët, të cilët kërkojnë që t’i jepet një mundësi përpara se ta shikojnë që të largohet”, thekson gazeta italiane në shkrimin e saj. Gjatë javëve të fundit, Pescara, Crotone dhe Empoli janë interesuar në klubin “granada” për huazimin e 23-vjeçarit. Të tria këto skuadra, që janë në garën për mbijetesën në elitën e futbollit italian, do t’i garantonin Ajetit hapësirën e nevojshme për të luajtur titullar.