Armando Broja “në ajër”, anglezët e nisin nga e para kërkimin e sulmuesit për të ardhmen

Aventura e Armando Brojës te Evertoni duket se ka marrë fund dhe pas dy javëve që mbeten në Premier Ligë, sulmuesi i kombëtares shqiptare do të kthehet përsëri te Çelsi, por për të bërë gati valixhet edhe atje.

Për këtë janë të bindur në Angli, ku media të ndryshme bëjnë të ditur se Evertoni nuk ka në plan ushtrimin e të drejtës së blerjes së kartonit të tij për 30 milionë paund, siç ishte parashikuar në klauzolën e huazimit nga Çelsi në fillimin e sezonit.

Edhe BBC e ka vendosur Brojën në listën e atyre për të cilët Çelsi po kërkon një sistemim sa më parë, në një artikull që i kushtohet strategjisë së klubit londinez për merkaton e verës. Blutë kanë nevojë për të ardhura që të mos shkelin rregulloret financiare të Premier Ligës pas shpenzimeve të çmendura të viteve të kaluara dhe Broja është në listën e atyre që po u propozohen klubeve të ndryshme, me objektivin për t’i gjetur një destinacion përfundimtar në verë.

Exit mobile version