Armando Sadiku përgatit rikthimin

Stërvitje intensive në palestër dhe fizeoterapi. Armando Sadiku përgatit rikthimin në fushë, me afatet e rikuperimit që duken mjaft të mira. Bomberi kuqezi publikoi imazhe të përgatitjeve që po zhvillon në Zyrih, ku po punon të rifitojë forcën dhe sigurinë në këmbë, pasi në javën e parë të tetorit iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në menisk.
Kur ka kaluar më tepër se dy javë nga operacioni, periudha e sulmuesit 25-vjeçar ka kaluar periudhën e rehabilitimit, ku qëndroi pushim absolut dhe ndihmohej në ecje nga patericat. Tashmë, ai po i jep ngarkesë gjurit që kishte probleme dhe kjo është faza e fundit përpara se t’i kthehet vrapimeve në fushë dhe punës me topin.
Gjithçka përsa i takon rikuperimit të Armando Sadikut ka ecur sipas planit, me mjekun e Kombëtares Kuqezi, Gianluca Stesina, që prej 4 tetorit deklaroi për mikrofonët e “Supersport” se rikuperimi i plot i lojtarit do të përfundonte në harkun e 4 ose 5 javëve. Tashmë, tifozët shqiptarë kudo nëpër botë presin ta rishohin bomberin në fushë dhe shpresojnë që ai do të jetë gati për sfidën kualifikuese ndaj Izraelit më 12 nëntor në “Loro Boriçi”.
Për duelin me rivalët direkt për vendin e tretë në grup, Shqipëria ka nevojë për golat e Armando Sadikut, sulmuesit që prej edicionit të kaluar është lojtari më në formë dhe deçiziv në të gjitha ndeshjet në repartin e avancuar.

Exit mobile version