Mes Donarumës dhe Milanit ndoshta nuk është thënë ende fjala… fund! Pas presioneve nga ana e presidentit kinez Jonghong Li dhe drejtuesve të tjerë të lartë, por edhe akuzave si kundërpërgjigje të menaxherit të lojtarit, Mino Raiola, ndoshta të dyja palët kanë vendosur që të vënë një armëpushim.
Dalja e fundit e drejtorit të Përgjithshëm, Marko Fasone (“Jemi gati të përqafojmë Xhixhon”), ndoshta ka ngrohur disi atmosferën dhe ndoshta edhe Raiola mund të bëjë disa hapa të vegjël, por të sigurt prapa. Me pak fjalë, Milani po punon që t’i japë një tjetër mundësi, por pa lëvizur nga termat financiarë të ofruar, ndonëse nga ana tjetër situata është bërë e frikshme, me Realin e Madridit që ka dalë hapur: “Po, po ndjekim Donarumën”.
Gjithsesi, për të tentuar një rinovim që do të pritej si një “trofe” në Milano, klubi ka vendosur që të ndërpresë të gjitha bisedimet me ata që shiheshin si pasardhësit e mundshëm të “Xhixhos”, një shenjë respekti kjo dhe dashamirësie, për të shkundur disi jo vetëm futbollistin, por mbi të gjitha menaxherin e tij të hekurt, Mino Raiolën. Për momentin, po vendoset një armëpushim, ndërkohë që media italiane ka analizuar arsyet dhe leverditë që kanë të tria palët nëse Donaruma qëndron te Milani.
Më shumë se kushdo tjetër, Milani sheh te Donaruma talentin, por pse jo liderin dhe kapitenin e ardhshëm të skuadrës. Ai është rritur me këto ngjyra dhe për më shumë cilësitë e tij janë të padiskutueshme. Pastaj, nëse ata arrijnë që të bindin portierin që të qëndronte, do të ishte një shenjë force nga ana e presidencës “kineze”, e cila i mbron yjet e saj dhe kjo do të afronte edhe më shumë tifozë.
Të gjithëve u leverdis që Xhixho të mbetet një flamur i klubit, ndonëse për momentin ai nuk është shumë i lumtur, përkundrazi është i demoralizuar. Ai është shumë i lidhur me Milanin, por në të njëjtën kohë duhet të mbështetet edhe te “politikat” e Raiolës, i cili e ka administruar që në vegjëli dhe ka një “borxh” edhe ndaj menaxherit. Por fakti që ai po qëndron në heshtje, ndoshta pret që Milani dhe Raiola të gjejnë akordin që mund ta bëjë atë që të qëndrojë kuqezi, të rinovojë edhe për shumë vite në vazhdim dhe të rigjejë buzëqeshjen.
Kjo situatë e krijuar i leverdis shumë edhe Raiolës, sepse dalja hapur e Realit të Madridit që kërkon Donarumën, tani mund të bëjë që drejtuesit kuqezi ta rimendojnë edhe një herë kërkesën e bërë. Dhe nëse gjërat shkojnë siç ai mendon, pra nëse Jonghong Li ndryshon qëndrim, ai mund të “vrasë dy zogj me një gur”: merr atë që i kërkoi Milanit për klientin e tij dhe bën rolin e të përulurit, duke i dhënë lojtarit kënaqësinë e të qëndruarit kuqezi.