Kombet e Bashkuara njoftuan të martën se, luftimet kanë vazhduar në rajonet lindore të Sirisë, në Guta, që mbahet nga forcat rebele. Zona duhej të ishte në ditën e parë të asaj që u cilësua si “pushimi humanitar” i vendosur nga Rusia, për të lejuar civilët t’u shpëtojnë luftimeve. “Është e qartë se, situata në terren nuk është e tillë që autokolonat mund të hyjnë apo që të kryhen evakuime mjekësore”, tha zëdhënësi humanitar i Kombeve të Bashkuara, Jens Laerke. Rusia dhe Siria fajësuan luftëtarët e opozitës për bombardimet që sipas tyre goditën një rrugë evakuimi si dhe disa zona në Damask, njoftime që u mohuan nga rebelët.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, i cili monitoron konfliktin shtatë-vjeçar, tha se Guta Lindore u godit nga ajri. Si rezultat i ashpërsimit të luftimeve ditët e fundit në këtë zonë, qindra vetë kanë humbur jetën. Ushtria siriane mohoi të ketë lidhje me sulmet. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu njoftoi të hënën se, “pushimi humanitar” i vendosur nga rusët do të ndodhë çdo ditë prej orës 9 të mëngjesit deri në 2 pasdite me orën lokale. Vendimi vjen disa ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara urdhëroi një armëpushim 30-ditor në të gjithë Sirinë. Por edhe pas këtij vendimi, aktivistët raportuan sulme ajrore të vazhdueshme dhe luftë në Gutan Lindore në periferi të Damaskut, ku si pasojë u vranë më shumë se 30 vetë të hënën. Gjatë një bisede telefonike të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron i përcolli presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan “shqetësimet e tij të forta” lidhur me vazhdimin e sulmeve ajrore kundër civilëve dhe spitaleve në Gutan Lindore. Zoti Macron i bëri thirrje gjithashtu zotit Erdogan t’i japë fund sulmeve ajrore që nisën muajin e kaluar kundër milicisë siriane kurde të mbështetur nga SHBA, në Afrin, në Sirinë Veriore. Turqia e konsideron milicinë një grup “terrorist” të lidhur me kryengritësit kurdë që kanë luftuar kundër qeverisë brenda Turqisë, për tre dekada. Të dielën, Turqia tha se armëpushimi i Kombeve të Bashkuara nuk do të ketë ndikim në operacionet e saj në Sirinë Veriore. Agjencia Siriane Shtetërore e Lajmeve dhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftuan se si pasojë e sulmeve turke të hënën herët në mëngjes u vranë pesë persona.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se, rezolutat e Këshillit të Sigurimit “kanë kuptim vetëm nëse zbatohen në mënyrë efektive”. Ai përsëriti se sirianët në zonën e rrethuar të Gutas Lindore “nuk mund të presin më” për ndihma humanitare. Komisioneri për të drejtat e njeriut në OKB, Zeid Ra-ad Hussein hodhi dyshime mbi të ardhmen e rezolutës, duke thënë se ajo “duhej parë në sfondin e dështimeve për shtatë vjet për të ndaluar dhunën, shtatë vjet vrasje masive të pandërprera dhe të frikshme”. Denis Sullivan, profesor i shkencave politike i tha “Zërit të Amerikës” se, Rusia është përgjegjëse kur vjen puna tek forcat që mbështesin presidentin sirian Bashar al-Asad dhe se zbatimi i presionit të nevojshëm ndaj Rusisë do të kërkonte fokusin e plotë të qeverisë amerikane. “Pa presionin e të gjithëve ndaj Rusisë, pra ndaj Asadit, kjo nuk do të ndodhë”, tha zoti Sullivan.