Armët serbe në duart e xhihadistëve, aferat e partisë së Vuçiqit

Problemi i eksportit të armëve serbe, të cilat përmes ndërmjetësuesve përfundojnë në duart e grupeve ekstremiste islamike në Jemen, është riaktualizuar pas shkrimeve të portalit „Arms Watch“.

Mediat në Serbi shkruajnë prej kohësh për këtë temë, duke nënvizuar se është rritur numri i blerësve të armëve serbe në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Por kur dihet, se gjurmët e tregtisë me armë të çojnë edhe deri tek Branko Stefanoviqi, babai i ministrit aktual të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, atëherë është deri diku e vetëkuptueshme pse autoritetet serbe po përpiqen me të gjitha mjetet të fshehin gjurmët e këtyre bizneseve.

Zyrtarisht thuhet se Serbia shet armë vetëm në vendet që kanë leje ndërkombëtare për blerje dhe nuk janë nën sanksione, por ekspertët paralajmërojnë se këto armë po përfundojnë në duart e grupave të armatosura që shkelin seriozisht të drejtat e njeriut.

Kjo tregti paraqet shkelje të rëndë të ligjeve ndërkombëtare. Portali „Arms Watch“ ka bërë të ditur se pas publikimit të informacioneve për armët serbe, është shndërruar në objektiv të sulmeve të hakerëve nga Serbia. Ky portal nuk mund të arrihet (në momentin e shkrimit të këtij teksti) nga Serbia.

Kjo është vetëm një copë letër
Ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq është përpjekur së pari të ulë rëndësinë e këtij portali, me fjalët se „Arms Watch nuk është ndonjë portal ndërkombëtar, por një portal që përcillet nga disa qindra njerëz“.

Stefanoviq mohon të dhënat se “firma GIM është pronë e babait të tij Branko Stefanoviq, apo ai e përfaqëson këtë sipërmarrje“. Ministri pohon se disa dokumente të publikuara janë vetëm “copa letre pa kurrfarë domethënie”. Portali „Arms Watch“ ka publikuar një dokument zyrtar nga prilli i vitit 2017, dërguar kompanisë Krushik në Valevë, për të kontrolluar mallrat e sipërmarrjes GIM, të Goran Todoroviqit, Branko Stefanoviqit (babai i ministrit Nebojsha Stefanoviq) dhe Mirko Manojlloviq, si dhe partnerëve të tyre nga Arabia Saudite.

Blerësit zyrtarë të armëve nga Serbia dhe Evropa Lindore janë – në veçanti pas fillimit të konflikteve në Siri në vitin 2012 – Arabia Saudite, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia. Slobodan Georgiev, redaktori i rrjetit hulumtues BIRN thotë për DW:

“Shumicën e gjërave që ka botuar tani ’Arms Watch’, para një viti i ka publikuar edhe BIRN, pra edhe për përfshirjen e Branko Stefanoviqit në këto punë”. Georgiev thotë se “nuk ka dëshmi se Serbia i ka shitur armë Jemenit apo ka furnizuar grupet terroriste me armë. Kjo nuk thuhet askund në tekstet tona“.

Kush e ka fikur dritën?
Nëse „Arms Watch“ është vërtet një portal tepër i vogël, siç thotë ministri Nebojsha Stefanoviq, si shpjegohen atëherë sulmet kaq të mëdha të hakerëve dhe pse nuk mund të hapet ky portal në Serbi?

Funkskionarët e partisë SNS (Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit) kanë nisur ndërkohë edhe një fushatë të gjerë mediatike kundër krerëve të Aleancës për Serbi (parti opozitare), me shpjegimin se ajo po e sulmon presidentin Vuçiq, përmes sulmeve ndaj familjes së ministrit të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq.

Por ata nuk flasin asgjë për konfliktin e interesave dhe si është e mundur që babai i ministrit të ndërmjetësojë në një biznes prej 45 milionë dollarësh, ndonëse kurrë më parë nuk është marrë me këto punë.

Reagimi i autoriteteve në Serbi është i pakuptueshëm edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Bozho Preleviq, i cili kritikon autoritetet për shkak të futjes nën kontroll të mediave dhe parandalimin e daljes së të vërtetës në sipërfaqe. Preleviq thotë për DW, se raportet për shitjen e armëve duhet t’i hulumtojë edhe prokurori i shtetit, i cili po hesht.

“Ne kemi punë me njerëz, të cilët në pushtet janë futur për të kontrolluar gjërat, për të shitur dhe stërshitur të gjitha gjërat që kanë vlerë. Ata duan të pasurohen për vete dhe partinë“, pohon Preleviq.

Vuçiqi – arbitri suprem
Reagimi i tanishëm i krerëve politikë në Serbi është i ngjashëm si tek aferat e mëparshme të partisë SNS. Bashkëbiseduesit e DW përmendin aferat me helikopterë, Savamala, rregullimin e shesheve në Beograd, rregullimi i trafikut dhe dritave në rrugë, objektet në Kopaonik, ndërtimi i një objekti në Senjak në prona të huaja, aferat me hotele, plagjiaturat dhe shumë afera të tjera të mosfunksionimit të institucioneve.

Arbitri vendimtar në të shumtën e rasteve është presidenti Vuçiq, i cili shpesh ka vendosur me një procedurë të shkurtuar se krerët e përmendur të SNS “nuk janë faktorë për skandalet e përmendura”.

Presidenti i ka quajtur akuzat për plagjiaturën e titullit doktor shkence të ministrit të Brendshëm Stefanoviq, si “budallallëqet me të mëdha që ka dëgjuar ndonjëherë”. Ndërsa për aferën (e ndërtimeve pranë lumit Sava) “Savamala” ka deklaruar se “përgjegjësinë e mban kreu i pushtetit në Beograd”.

Por kjo nuk e ka penguar Vuçiqin që pikërisht kryetarin e bashkisë së Beogradit, Sinisha Mali, ta emërojë si ministër të Financave në qeverinë e tanishme. Slobodan Georgiev e ilustron këtë politikë të krerëve të Serbisë me një fatkeqësi në janar të këtij viti, ku humbi jetën një grua. Shoferi i makinës së përfshirë në këtë fatkeqësi ishte Zoran Babiq, drejtori i Korridoreve të Serbisë.

„Prokurori nuk i ka mbledhur të dhënat as tetë muaj pas fatkeqësisë dhe pohon se nuk e di nëse Babiq është fajtor. Nuk ka shtet, nuk ka ligj, nuk ka hetime por vetëm një pushtet dhe një njeri që i kontrollon të gjitha“, thotë redaktori i BIRN.

Exit mobile version