Armiku i mikut tim, armiku im ose kush nuk është me mua është kundër meje!

Nga Ardi Stefa

Pse armiku i armikut tënd është miku yt?
Dhe pse kush nuk është me mua është kundër meje?

Nga ana semantike: “armiku i një armiku është një mik, një mik i një miku është një mik, një mik i një armiku është një armik dhe në fund një armik i një miku është një armik” – çojnë marrëdhëniet në ekuilibër.

Në fakt, si njëra shprehje në titull ashtu edhe tjetra dëshmojnë për miopi dhe dritëshkurtësi sociale e, sidomos, politike.

Si njëra shprehje ashtu edhe tjetra bëjnë që njerëzit të mos mendojnë, flasin e veprojnë me kokën e tyre, por të tjetrit që e kanë mbi krye, e kanë “mik” apo “armik”.

Si njëra, si tjetra shprehje tregojnë dritëshkurtësinë, mungesën e vizionit, origjinalitetit dhe të menduarit në perspektivë.

Shpesh herë dëshmojnë edhe mungesë karakteri dhe vërtetojnë aksiomos, se kush të nervozon- të kontrollon.

Dhe, në qoftë se shprehja e parë është një proverb arab, shprehja e dytë është materializim i një koncepti komunist, që glorifikon konfliktin e përhershëm, lufton paqen sociale dhe mban ndezur përherë konfliktin politik.

Ky është një koncept negativ dhe kryesisht aventurier që jo pak njerëz kanë për politikën në vendin tonë. Para së gjithash, në politikë nuk ka armiq, ka kundërshtarë dhe mosmarrëveshje, të cilat duhet t’i zgjidhë ose me dialog ose duke u mbushur mendjen njerëzve që njëra palë ka të drejtë e tjetra jo. Dhe, nëse këto përpjekje dështojnë, ai gjen një modus vivendi dhe jeta vazhdon pavarësisht dallimeve. Koncepti “armik” i referohet një atmosfere lufte dhe një shoqërie në luftë, diçka që nuk e karakterizon pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare.

Megjithatë, pamundësia e forcave politike dhe e një pjese të shoqërisë, për t’u reformuar, duket sikur nuk na lë shumë hapësirë për të shpresuar.

Shikoni se çfarë ndodh me partitë kryesore në vend, të cilat kanë humbur plotësisht moralin politik. Parti, të cilat nuk përgatitën asnjë lidership trashëgimtar pas liderëve tradicionalë. Dhe kështu flasim për parti të vdekura politikisht pas ikjes së tyre.

Por le të kthehemi tek shprehjet e fillimit.
Të dyja shprehjet janë shprehje, të cilat përjashtojnë moralin, shpresën, përgjegjshmërinë.

Sepse, nëse armiku i mikut tim është armiku im vlen atëherë mbahet gjallë atmosfera e luftës, armiqësore dhe konflikti i përhershëm.

Dikush, në rrethana të caktuara mund të jetë armik ose mik, por çdo aleancë e tillë në politikë është e brishtë, jo e qëndrueshme, pasi nuk ka baza ideologjike; fshihet pas moralit, por lë të hapur shtegun që miku i sotëm të jetë armiku i nesërm. E ka vërtetuar historia në mbarë botën!

E njëjta gjë me shprehjen e dytë “kush nuk është me mua është kundër meje!”
Është një shprehje arrogante, përjashtuese, konfliktuale!

Lindi në komunizëm, kur mjeshtërisht Enver Hoxha vuri në konflikt e luftë gjysmën kundër gjysmës.
Vazhdon po kaq mjeshtërisht edhe sot nga liderët ish- komunistë, që ndërsejnë në rastin më të keq gjysmën e shoqërisë kundër tjetrës dhe, në rastin më të “mirë” gjysmën e partisë kundër tjetrës. Ngaqë duan dominimin e përjetshëm politik.

Është shprehje e pazarxhinjve dhe e atyre që ngrenë kulte individi, idhuj të rremë e përdredhin belin nën tingujt e këngëve kushtuar idhujtarit dhe që nuk pranojnë asnjë mendim ndryshe.

Është shprehje e atyre që nuk dine të mendojnë me kokën e tyre, por me kokën e kryetarit, ose, edhe kur dinë të mendojnë me kokën e tyre, e fshehin në pritje të kockës së radhës, të cilën po nuk e morën, s’ka gjë, e kapërcejnë përsëri ylberin, pa pyetur për koston e tyre njerëzore dhe as për koston që do të paguajnë shqiptarët.

Është shprehje e atyre që “K’cimin e kryetarit” e kanë kolonën zanore të jetës së tyre politike dhe pranojnë të përçudnohen prej njëshit, por anatemojnë ata që u dalin kundër logjikisht e politikisht!

Është shprehje e atyre që në jetën e tyre, ndoshta, nuk kanë asnjë ditë punë të ndershme!

Dhe të dyja shprehjet përjashtuese çojnë në regres!

Artikulli paraprak“Reuters”: Pse Edi Rama po mbyll “TikTok”-un para zgjedhjeve?
Artikulli tjetërDy shqiptarë arratisen nga burgu në Greqi, konsiderohen të rrezikshëm! Nga vrasje e grabitje, ja krimet për të cilat janë dënuar