ARMO, 7 vjet pa paguar drita e ujë, i sekuestrohen 5190 m² tokë e ndërtesë

Kompania problematike e përpunimit të naftës ARMO ka detyrime të papaguara jo vetëm ndaj bankave e të tretëve, por rezulton se prej vitesh, ajo nuk ka paguar as faturat e energjisë dhe të ujit.
Ujësjellës-Kanalizime Fier dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) kanë kërkuar përmes kompanisë përmbarimore Kodra Bailiff Service mbledhjen me forcë të detyrimeve.
ARMO ka fatura të papaguara të ujit që prej prillit 2009 deri në shtator 2015, për të cilat është lëshuar urdhër ekzekutimi nga Gjykata e Tiranës. Nga nëntori 2010 deri në shtator 2015, kompania nuk ka paguar as faturat e energjisë elektrike, detyrimi për të cilat është i njohur gjithashtu nga Gjykata e Tiranës. Nuk bëhet e ditur se sa është shuma e këtyre detyrimeve.
Për këtë arsye, shoqëria përmbarimore ka vendosur sekuestro konservative mbi 2 prona të kompanisë ARMO, konkretisht një truall me sipërfaqe 4360 m² në Vlorë dhe një ndërtesë me sipërfaqe 830 m2, po në Vlorë.
Nga shtatori i këtij viti, Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Kompania nënshkroi dhe një marrëveshje me prodhuesin e naftës Bankers Petroleum, që do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC.
Që pas këtij lajmi, kreditorët kanë vërshuar të kërkojnë detyrimet e tyre përmes përmbarimit. Bankat kanë riaktivizuar urdhrat e sekuestros, ndërsa dhe prodhuesi shtetëror i naftës Albpetrol ka vënë në sekuestro rreth 25 objekte për një detyrim që arrin në rreth 50 milionë euro.
Rafineria ARMO është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.
Ajsbergu i borxheve që ndërmarrja e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj kreditorëve së fundmi duket është shndërruar në një mollë sherri se kush duhet të përfitojë i pari nga detyrimet, në rast të shitjes së plotë apo të pjesshme të kompanisë.
Mirëpo neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave. Kështu nëse do të ketë shitje të aseteve, të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit tatimor që sipas të dhënave nga tatimet aktualisht është 23 miliardë lekë.
Pas tatimeve, në radhë për shlyerje janë detyrimet ndaj Albpetrol-it, i cili është 100% në pronësi të shtetit. Kështu sipas ligjit, çdo e ardhur që sigurohet nga përmbaruesit privatë për llogari të bankës në fakt shkon për shlyerjen e detyrimeve të punonjësve dhe detyrimeve tatimore.
Edhe bankat e kanë filluar procesin për shitjen në ankand, por tani i gjithë procesi vihet në dyshim, për shkak të përparësisë së shtetit në radhë për të vjelë detyrimet.

Artikulli paraprakKLSH: Lumi Erzen i helmuar nga ricikluesit
Artikulli tjetërBerluskoni do rimarrë Milanin