Rroshi është larguar nga Shqipëria vetëm 24 orë pas dorëheqjes, ndërsa Prokuroria ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht hetimet për shkelje të ligjit të dekriminalizimit nga ana e ish-kryebashkiakut. Në bazë të këtyre hetimeve Rroshi rrezikon deri në 4 vjet heqje lirie pasi ai ka fshehur dhe falsifikuar të dhënat kriminale në formularin e dekriminalizimit. Në këtë formular, Rroshi ka fshehur dënimin për përdhunim në Itali në vitin 1995, si dhe dënimin me burg për dhunë në vitin 1992. Në të njëjtën kohë, Rroshi rezulton i dënuar me 4 vite burg në Zvicër për trafikun e drogës, por edhe ky rekord kriminal nuk është pasqyruar nga Rroshi në formularin e dekriminalizimit.
Zbardhja e këtyre të dhënave në rrugë ligjore detyrimisht do të çonte në ndjekjen penale të Rroshit sikurse e kërkon edhe ligji për dekriminalizimin. Kryebashkiaku përdhunues i Kavajës e ka parandjerë atë që do t’i vinte dhe ka dhënë në mënyrë publike dorëheqjen. Pas dorëheqjes, Rroshi rezulton që të jetë larguar menjëherë nga Shqipëria. Mediat afër pushtetit thanë se Rroshi po shkonte për të nisur betejën ligjore në Itali për të pastruar veten nga dënimet e mëparshme. Kjo është një taktikë e dalë boje për shumë nga të inkrimnuarit e PS. Të njëjtën gjë deklaroi edhe deputeti Ndoka, ndërsa dha dorëheqjen si deputet i Parlamentit dhe tha se do të ndiqte në rrugë ligjore çështjen e dënimit të tij në Itali për trafik prostitucioni. Deklaratë me të njëjtin tekst bëri edhe deputeti vrasës Mark Frroku, i cili po ashtu me pranga në duar tha se ishte i pafajshëm dhe se do të dorëzonte mandatin e deputetit për të zbardhur të vërtetën e akuzave ndaj tij në Belgjikë.
Reagimi i Berishës
“Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi është larguar drejt Italisë në momentin që Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimin ndaj tij pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë i dënuar në Itali për përdhunim në grup”.
Kështu shkruan në Facebook ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka ndihmuar Rroshin që të largohet, njësoj si në rastin e Arben Frrokut. Dje, u publikua në media se Rroshi udhëtoi drejt Italisë për të vazhduar përballjen me drejtësinë, pasi siç është shprehur dhe ai vetë, nuk ishte në dijeni që është dënuar nga gjykata italiane. Ish-Kryeministri Berisha ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetim edhe ndaj Kryeministrit Rama, pasi për disa vite ka fshehur krimet e Rroshit, edhe pse ishte në dijeni të tyre. Sipas ligjit, zyrtarët që fshehin të dhënat në formularin e vetëdeklarimit, rrezikojnë 6 muaj deri në 4 vite burg.
“Edvin Shullazi thellon krimin e tij. Ai arratis para arrestimit Ervin Rroshin si Arben Frrokun dhe Ediskobarin! Edvin Shullazi pasi fshehu për vite dhe mashtroi qytetarët e Kavajës dhe mbarë Shqipërisë për krimin e Ervinit/Elvisit të tij të dashur, e nisi këtë të fundit sapo Prokuroria hapi çështjen penale, njëlloj si Arben Frrokun dhe Ediskobarin, jashtë shteti për të shpëtuar nga arrestimi i Prokurorisë për fshehjen e krimit. I bëj thirrje Prokurorisë të hapë çështje penale ndaj Edvin Shullazit për fshehjen për disa vite të krimit të Ervinit dhe favorizimin e arratisjes së tij”, shkruan Berisha në reagimin e tij.