Arratisja në 1957 e ish-ministrit Panajot Plaku e grupit të çamëve, çfarë u gjet në shënimet e CIA-s! Shtypi perëndimor: Nuk simpatizoi komunizmin e pavarur të Titos

HYQMET ZANE

Kur një mik më tha se nga burimet e hapura të arkivave amerikane, kishte nxjerrë disa informacione që lidheshin me të ashtuquajturin “Grupi Teme Sejkos”, tregova interes të dija se çfarë ishte thënë nga CIA për këtë rast, duke qenë bashkëqytetarë me Teme Sejkon dhe Tahir Demin nga Filati i Çamërisë që konsideroheshin si koka e grupit. Për hir të së vërtetës, gjithçka nisi pas Konferencës së Tiranës më prill 1956 kur Taho Sejko (vëllai i Teme Sejkos) dhe Vehip Demi u internuan: njeri në Shkodër e tjetri në Skrapar. Më pas më 26 prill 1960 u eliminua gjeneral Hilmi Seiti, kryetar i degës së brendshme në Shkodër, të cilit iu kërkua ajo që më pas iu kërkua Teme Sejkos. Hilmiu nuk e pranoi lojën komplot që, siç u pa më vonë, ishte me pasoja tragjike për çamët.

Sipas CIA-s amerikane arratisja e Panajot Plakut, “Titoisti” shqiptar në Jugosllavi më 22 maj 1957 ishte një sinjal se diçka nuk shkonte mirë brenda partisë së Enver Hoxhës. Buletini Aktual i Inteligjencës (Current Intelligence Bulletin), Zyra e Inteligjencës Aktuale (Office of Current Intelligence), Agjencia Qendrore e Inteligences (Central Intelligence Agency) kanë cituar:

“Gjeneralmajor Panajot Plaku, ministër shqiptar pa portofol dhe anëtar i komitetit qendror të Partisë së Punëtorëve (Komuniste) Shqiptare, u arratis në Jugosllavi më 16 maj dhe aplikoi për azil, sipas radios jugosllave. Sipas njoftimeve të shtypit perëndimor, ai tha se “e simpatizoi komunizmin e pavarur të Titos dhe nuk ishte dakord me presionin e mbajtur ndaj Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik!”

REGJIMI

Ikja e Plakut sugjeron se regjimi shqiptar ishte gati ta spastronte atë, siç bëri me katër pro-jugosllavë të tjerë në hierarkinë e lartë të partisë gjatë dy viteve të fundit. Dy prej tyre kishin qenë në komitetin qendror prej 43 anëtarësh. Fjalimet e përsëritura gjatë vitit të kaluar nga shefi i partisë Hoxha kundër “titizmit” tregojnë vështirësitë e partisë për të çliruar veten nga ndikimet e mbetura që nga vitet e saj të hershme si satelit jugosllav.

Plaku, që thuhet se ishte një nga organizatorët e lëvizjes komuniste shqiptare, ishte zëvendësministër i Mbrojtjes deri në tetor 1956, kur u bë ministër pa portofol dhe kryetar i komitetit shtetëror të gjeologjisë, me gjasë një degradim.

***

Në qershor – korrik 1960, pas vizitës së Hurshovit në Shqipëri dhe pas ikjes së tij mes dy shteteve u krijua një hendek armiqësor që nxori në pah fjalët e thëna nga lideri sovjetik se “Qeveria shqiptare është shitur për 30 aspra tek imperialistët amerikanë”. Kjo i dogji liderëve komunistë që kishin nisur të thurnin intrigën e krijimit të një grupi komplotist për t’i treguar sovjetikëve se qeveria shqiptare nuk shitet.

Sipas Halim Xhelos, autoritetit të lartë të sigurimit të shtetit, që më pas u akuzua dhe në burgun e Laçit i ka thënë Lutfi Sejkos pas pyetjes së këtij të fundit se “”çfarë patët me ne çamët?” dhe ai i rrëfen se gjithçka nisi si pretekst pse Hrushovi i kishte thënë Enver Hoxhës në Sarandë se “ketë ke për kryeministër (duke drejtuar gishtin tek Teme Sejko) dhe jo ata (Mehmet Shehun) për të cilin ti më ankohesh mua. Kadri Hazbiu i pranishëm në këtë bisedë, i kishte raportuar Mehmetit dhe ky kishte folur me Enverin dhe sajuan gjëmën e madhe me arrestimin e 62 vetëve, shumica prej tyre nga Çamëria, ish- luftëtarë dhe kontribues pas çlirimit të vendit që u pushkatuan 11 prej tyre dhe u dhanë 1250 vite burgime, nga të cilët 10 prej tyre vdiqën nëpër burgje.

Ja cila është përmbledhja javore aktuale e inteligjencës (Current Intelligence Weekly Summary)

Nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (Central Intelligence Agency ) CIA , 18 May 1961.

Titulli i përmbledhjes :

Hapet gjyqi në Shqipëri (Albanian Show Trial Opens) Fq.19

Gjyqi i shumëpritur i personave të dyshuar të përfshirë në një komplot për përmbysjen e regjimit të Hoxhës u hap në Tiranë më 15 maj. Dhjetë komplotistët janë deklaruar fajtorë për gjashtë akuza, si: përfshirjen në një komplot, revoltë të armatosur dhe kalimin e informacionit te fuqitë e huaja. Ata akuzohen se u shërbejnë shërbimeve të inteligjencës amerikane, greke dhe jugosllave, por në fakt komploti i zbuluar në fund të verës së kaluar ndoshta ishte i frymëzuar dhe organizuar nga BRSS në një përpjekje për të larguar liderët shqiptarë që kanë lidhur vendin e tyre me Kinën komuniste. Kështu, gjyqi është një shprehje e kundërshtimit të Hoxhës ndaj Moskës.

TË PANDEHURIT (THE DEFENDANTS )

Edhe pse raportet kanë pohuar se rreth 250 individë në parti, qeveri dhe ushtri janë përfshirë në komplot, vetëm dhjetë po gjykohen. Teme Sejko, që thuhet se është drejtuesi i komplotit, është i pandehuri kryesor. Deri në arrestimin e tij ka mbajtur gradën zv/admiral dhe ka qenë zv/komandant i Marinës Shqiptare.

Të vetmit të pandehur të tjerë të shquar janë Tahir Demi, i rrëzuar në heshtje vjeshtën e kaluar si kryetar i Këshillit Popullor të Qarkut të Elbasanit dhe Halim Xhelo, i cili ishte një figurë e rëndësishme në aparatin e sigurisë së brendshme deri në vitin 1957, kur u kap duke tentuar të ikte në Greqi. Xhelo, për arsye të panjohura, në atë kohë u kursye nga arrestimi dhe më pas ka shërbyer si shef i zyrës sportive të ushtrisë. Regjimi tani po përdor tentativën e arratisjes në përpjekje për t’i dhënë besueshmëri akuzave të tij për përfshirje greke në komplotet e supozuara.

Dy nga të pandehurit e tjerë mësohet se kanë mbajtur përgjegjësi pune në parti apo sigurim në fillim të viteve 1950 në zonën e Konispolit ngjitur me kufirin grek, ku dyshohet se u zhvilluan shumë nga aktivitetet e komplotistëve. Dy figurat më të njohura të larguara nga postet partiake vjeshtën e kaluar, Liri Belishova dhe Koço Tashko, nuk janë mes të pandehurve. Tre të tjerë janë me përvojë ushtarake.

KOMPLOTI (THE CONSPIRACY )

Detajet e komplotit nuk janë zhvilluar ende plotësisht në dëshmi, por skicat e përgjithshme janë të qarta. Dy të pandehurit e parë, Tahir Demi dhe Nasho Gërxho, pohuan se që në vitin 1951 grekët dhe jugosllavët kishin punuar me udhëheqësin e tyre, Sejko, dhe të tjerë që ishin larguar më pas nga Shqipëria, duke përfshirë dikur edhe një anëtar të komitetit qendror të partisë, Gjeneral Panajot Plaku (i arratisur më 1957). Grupi konspirativ dyshohet se kishte kërkuar për vite të tëra të punonte brenda Partisë së Punëtorëve (Komuniste) Shqiptare kundër regjimit të Hoxhës dhe në favor të “revizionistëve” jugosllavë. Të akuzuarit thuhet se kanë argumentuar në vitin 1956 se regjimi i Hoxhës nuk po zbatonte politikën e miqësisë së bllokut ndaj Titos.

Tahir Demi dëshmoi, gjithashtu, se Sejko ishte përgjegjës në vitin 1958 për kalimin e informacionit tek grekët për Marinën Shqiptare dhe se Sejko kishte plane për të përfshirë marinën në një incident ndërkombëtar që do t’i jepte Athinës dhe Beogradit një justifikim për të dënuar Shqipërinë përpara Kombeve të Bashkuara.

Detyra më e rëndësishme e grupit, megjithatë, sipas dëshmisë, ishte të nxiste disidencën midis njerëzve me shpresën se një kryengritje e armatosur e planifikuar për shtator-tetor 1960 do të kishte mbështetjen popullore. SHBA, Greqia dhe Jugosllavia dyshohet se do të ndërhynin me forca të armatosura për të ndihmuar kryengritjen.

Kur prokuroria pyeti se çfarë programi synonin të ndiqnin komplotistët nëse kryengritja e tyre do të ishte e suksesshme, Demi tha se “llumrat” e popullit shqiptar — supozohet se të mërguarit “revizionistë” dhe antikomunistë në Jugosllavi dhe në Perëndim – do të drejtonin vendin, dhe se gjeneral Panajot Plaku me shumë gjasa do të kryesonte qeverinë.

SYNIMET E REGJIMIT (REGIME INTENTION )

Gjyqi synon të justifikojë edhe një herë para popullit shqiptar politikën e jashtme të regjimit, i cili ka dhënë bazën e përbashkët për mbështetjen e Kinës komuniste në mosmarrëveshjen kino-sovjetike. Regjimi i Hoxhës ka manipuluar gjithmonë frikën e njerëzve ndaj agresionit të mundshëm jugosllav dhe grek për të justifikuar nevojën për sistemin e tij të ashpër të brendshëm, pak të ndryshuar që nga koha e Stalinit.

Tema kryesore – edhe pse e nënkuptuar – e gjyqit, megjithatë, duket se është kryesisht anti-sovjetike. Duke gjurmuar konspiracionin në vitin 1951, regjimi, në fakt, po demonstron se vlerësimi i tij për Jugosllavinë e Titos ka qenë i saktë gjatë gjithë kohës, ndërsa Hrushovi gaboi në afrimin e tij me Titon në vitet 1955-57, denoncimin e tij në 1956 të Rezolutës Cominform 1948, nxjerrja jashtë ligjit e Jugosllavisë dhe vendimi i tij për të ndjekur “bashkëjetesën paqësore” me shtetet jokomuniste. Aktakuza, për shembull, tenton të tregojë se SHBA, Greqia dhe Jugosllavia “në asnjë moment nuk i kanë ndërprerë aktivitete armiqësore në fushën politike, ideologjike ose ushtarake”.

Dëshmia nënkupton se aktivitetet pro-jugosllave të komplotit në vitin 1956 – në thelb në harmoni me politikën e bllokut në atë kohë – ishin tradhtare. Në lidhje me këtë, Taho Sejko, atëherë kryeredaktor i të përditshmes kryesore të regjimit, “Zëri i Popullit”, është lidhur në dëshmi me komplotistët. Duke vepruar kështu, regjimi nënkupton se shprehjet e destalinizimit të kufizuar të Shqipërisë që u shfaqën në shtyp në atë kohë nuk pasqyronin qëndrimin e regjimit “e vërtetë”

Gjyqi është, gjithashtu, një shprehje e kundërshtimit të vazhdueshëm të Hoxhës ndaj bllokut sovjetik në një tjetër llogari. Ka arsye për të besuar se Moska i paralajmëroi shqiptarët në shkurt kundër mbajtjes së ndonjë gjyqi antijugosllav. As Moska dhe as satelitët e saj nuk i janë referuar ndonjëherë komplotit.

NDIKIMI I GJYKIMIT (IMPACT OF THE TRIAL)

Gjyqi nuk do të shërbejë vetëm për të zgjeruar çarjen mes Tiranës dhe Moskës, por ndoshta do të rezultojë edhe në një ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike shqiptarojugosllave. Jugosllavia, sipas radios shqiptare, kërcënoi në fund të marsit se do të “rishikonte” marrëdhëniet e saj me Tiranën nëse Shqipëria do të zhvillonte një gjyq. Ndërsa Pekini atëherë mund të prishë lidhjet e tij me Jugosllavinë, Moska dhe satelitët e saj ndoshta nuk do ta ndiqnin shembullin. Kështu, fasada e unitetit të bllokut – siç u vendos në konferencën e nëntorit të udhëheqësve komunistë – do të prishej haptazi.

EPILOG

E gjithë kjo situatë krijoi një atmosferë mbytëse për banorët shqiptarë të ardhur nga Çamëria duk u vënë epitete të pamerituara me urrejtje e persekutime nga më të ndryshmet, ku penalitetet kanë qenë të rënda dhe pa asnjë bazë të vërtetë. Duke qenë se sistemi e frymëzonte popullin me të tilla trillime si edhe për të gjitha grupet e ashtuquajtura “armiqësore”, urrejtja klasore i shërbente diktaturës për ta mbajtur të nënshtruar sipas parimit “Përça dhe sundo”.

Me ndryshimin e sistemit pas viti 1990, gjithçka doli në dritën e së vërtetës, por goditja e inteligjencës çame dhe gjithë popullatës ishte dhënë dhe pasojat ishin të mëdha, si një shërbim i madh ndaj qeverisë greke që bëri gjenocid për këtë popullatë pas 27 qershorit 1944.

Kush ishte ish-ministri pa portofol që u arratis gjatë diktaturës

Panajot Plaku është akuzuar nga Sigurimi i Shtetit si agjent i UDB-s. Anëtar i Komitetit Qendror si dhe gjeneral i ushtrisë shqiptare, ndryshe nga miqtë e tij të ngushtë, Dali Ndreu dhe Liri Gega, të cilët u arrestuan dhe u dënuan si agjent të jugosllavëve, ai arriti të arratisej në Jugosllavi në vitin 1957, vetëm pak momente para arrestimit. Ata akuzoheshin se të tre se bashku punonin për llogari të shërbimeve sekrete jugosllave. Por, megjithëse arriti t’i shpëtonte arrestimit, Panajot Plaku nuk mundi t’i shpëtonte dot kurthit të Sigurimit të Shtetit. Vetëm pak kohë më vonë me anë të një agjenti të saj arriti të vriste në Jugosllavi ish-gjeneralin shqiptar, Panajot Plakun, të akuzuar si spiun i UDB-së jugosllave. Plaku përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qenë, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.

Artikulli paraprakDritan Dajti, tjetër përpjekje për t’u liruar! I dënuari me burg për jetë për vrasjen e 4 policëve dorëzon kërkesën në Gjykatën e Elbasanit
Artikulli tjetër“Një tjetër rritje mbi taksën e pronës”/ Taulanda Jupi: Qeveria varfëron familjet shqiptare