Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës ka vendosur masën e sigurisë, “arrest shtëpie” për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Hasan Halili. Pasi i është komunikuar vendimi Halili është rikthyer në Spitalin e Kukësit, pasi ka shfaqur probleme kardiake. Ishte pikërisht përkeqësimi i gjendjes shëndetësore që çoi në arrestimin e tij më 2 maj, por dje gjykata ka vendosur ta lërë në “arrest shtëpie”.
Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili u arrestua para katër ditësh në spital, ku ishte shtruar me urgjencë pas problemeve me zemrën. Halili ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohej për shpërdorim të detyrës. Nga hetimet e Prokurorisë së Kukësit rezulton se ish-kreu i Bashkisë së Kukësit në bashkëpunim me tre zyrtarët Hoxha, Deda dhe Ukperaj kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksionere në shoqërinë “Klubi i Futbolli Kukës” sh.a., për të cilën më pas kanë paguar në mënyrë të paligjshme, në formë sponsorizimi, në periudhën 2011-2015 rreth 45 milionë lekë të reja. Mësohet se këtë shumë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit.
Prokuroria e Kukësit nisi hetimin në nëntor të vitit që shkoi, në bazë të një kallëzimi të Bashkisë së Kukësit, në të cilën ishin ngritur dyshime për veprime të paligjshme nga ana e ish-drejtuesve të këtij institucioni, të cilët ishin larguar pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015. Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Kukësit, rezultoi në mënyrë të përmbledhur se shoqëria “Klubi i Futbollit Kukësi” sh.a. është krijuar në vitin 2011, si një shoqëri tërësisht private. Në vitin 2012, me një vendim fiktiv, me kërkesë të kryetarit të bashkisë në atë kohë, Bashkia Kukës u regjistrua si aksionere e kësaj shoqërie, pa asnjë bazë ligjore.
Pas regjistrimit fiktiv si aksionere në këtë shoqëri private, Bashkia e Kukësit ka dhënë në formën e sponsorizimit për ekipin e futbollit mbi 45 milionë lekë të reja. Hetimi ka provuar se këto pagesa janë kryer tërësisht në kundërshtim me ligjin.