Arrestime të reja në PS, kush janë dy ministrat të kapur në flagrancë

Pyetje: Zoti Basha ju deklaruat se nuk ka dhe nuk do të ketë proces normal institucional me këtë qeverisje dhe po ashtu pak më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar i keni vendosur deputetët para faktit se përballja me qeverinë do të jetë më shpejt se sa mendohet, a mund të dimë pak më shumë, se kush janë rrugët e përballjes me qeverinë? Po përgatiten protesta?
Basha: Nuk ka asnjë mister se përballja po zhvillohet dhe do të zhvillohet jo pa sukses. Ky është rasti i vetëm kur kemi një kryeministër i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë, ndonëse janë larguar dy ministra të brendshëm njëri pas tjetrit, për shkak të aferave kriminale. Dhe ky është rezultat dhe meritë e qëndresës dhe përballjes sonë.
Po mos të ishte për përballjen e opozitës, në momente të veçanta edhe krejt e vetme, sot Sajmir Tahiri do të ishte një Ministër “i nderuar” i Brendshëm, apo jo? Siç i rrihte shpatullat pa fund Edi Rama.
Sot Vangjush Dako do të ishte një shembull i…
Gazetari: I akullores…
Basha: I akullores, supermen-it, menaxhimit të Durrësit.
Sot Fatmir Xhafa do të ishte njeriu që “i dha Shqipërisë Reformën në Drejtësi”. Por në fakt sot Sajmir Tahiri nuk është as Ministër, as deputet, është në hetim dhe hetimi do të vazhdojë, pavarësisht broçkullave që qarkullojnë lart e poshtë e do të thellohet, mos sot nesër. Nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë që në krye të Ministrisë së Brendshme e ktheu në një organizatë kriminale që bashkëpunonte me kriminelët për trafikun e drogës.
Fatmir Xhafa është larguar, por nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, për atë që s’ka ndodhur në 28 vite: përdorimin e policisë dhe prokurorisë për të fabrikuar prova dhe dëshmitarë të rremë kundër denoncuesve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë.
Vangjush Dako do të arrestohet. Do të përfundojë atje ku e ka vendin, sëbashku me Elvis Rroshin e Gent Dajën. Nuk ka asnjë mundësi që as Taulant Balla, as Damian Gjiknuri, as Arben Ahmetaj, asnjë nga kupola socialiste që është përfshirë në këtë mega proçes mafioz të shitblerjes së votës, ti shpëtojë përgjegjësisë penale.

Të gjitha këto janë objektivat e opozitës. Vijmë me një bilanc me të paktën 350 zyrtarë dhe politikanë të larguar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, me dy ministra të brendshëm të larguar për shkak të luftës opozitare dhe të luftojmë ta thellojmë këtë bilanc duke larguar nga politika, politikanët e inkriminuar dhe duke i çuar ata para drejtësisë. Ky në vetvete është edhe elementi kryesor i dekriminalizimit të zgjedhjeve.
Sa kohë që këta njerëz vazhdojnë të administrojnë pushtet politik, çdo reformë në letër do të mbetët në letër. Por ama kur këta të humbasin postet politike dhe të vendosën para një drejtësie të vërtetë e të pavarur, ky do të shërbejë si shembull dhe paralajmërim për këdo që mendon të përsërisë apo të përfshihet në bashkëpunim kriminal për të tjetërsuar votën e shqiptarëve. Pa zgjidhur këtë problem, asnjë problem nuk zgjidhet në Shqipëri.
Sa kohë që qeveria e dalë nga kriminelët, me mandate të dhuruara nga krimi, ka preokupim pikërisht mbrojtjen dhe fshehjen e këtyre lidhjeve, padyshim që do të vazhdojë kjo situatë ku jemi.
Nuk mund të ketë qeverisje, nuk mund të ketë zgjidhje apo adresim të problemeve të qytetarëve, por do të kemi një qeveri që ka pushuar së qeverisuri, sepse është uzurpuar nga një organizatë kriminale siç është kthyer sot Rilindja e Edi Ramës.
Pyetje: Zoti Basha, për ta bërë këtë PD duhet të vijë në pushtet. A është gati PD për të ardhur në pushtet e për të qeverisur shqiptarët?
Basha: Padyshim që Partia Demokratike disponon të gjithë potencialin politik dhe njerëzor, vizionin dhe programin për të ju ofruar shqiptarëve, një qeveri të pastër nga krimi dhe lidhjet kriminale, të pastër nga konflikti i interest nga oligarkët që kanë zaptuar ekonominë dhe me një vizion të qartë për të kthyer jo vetëm thjeshtë konkurencën politike, por konkurencën e lirë në ekonomi që do të ofrojë një jetë më të mirë dhe mundësi për të gjithë shqiptarët.
Por, kjo kalon përmes këtij procesi. Ne duhet ta kuptojmë se Edi Rama dhe kjo e keqe, janë produkt i bashkëveprimit kriminal me krimin e organizuar. Ka ardhur me vota të vjedhura, ka ardhur me vota të manipuluara e të vjedhura nga krimi.

Gjëja e parë që shqiptarët duhet të kuptojnë është se vota është shumë e rëndësishme.
Nëqoftëse vota shitet, vjen në pushtet krimi dhe kur krimi vjen në pushtet nuk ka më vëmendje për ty, nuk ka më vëmendje për njerëzit e thjeshtë. Prandaj, për të larguar këtë të keqe dhe jo vetëm dhe jo thjesht Edi Ramën, do ta largojmë pa diskutim, detyra e opozitës është e pazëvendësueshme dhe ne po bëjmë çdo gjë që të arrijmë këtë gjë, këtë detyrë.
Mirë është që edhe media të bëjë pjesën e vet : hetimin, denoncimin, debatin, diskreditimin e këtij regjimi të uzurpuar nga një organizatë kriminale dhe të ndihmojnë vetëdijesimin e njerëzve për rëndësinë që ka vota. Ndërsa garantimi i kësaj vote, përmes dekriminalizimit të zgjedhjeve, shërbehet nga beteja jonë e përditshme, nga largimi i Xhafës, siç u shërbye nga largimi i Tahirit. Po shërbehet kështu duke vazhduar betejën tonë për arrestimin e Vangjush Dakos dhe Dakove të tjerë, për vënien para drejtësisë dhe dënimin e krimeve elektorale të Edi Ramës.
Nuk do të ketë as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe as zhvillim ekonomik dhe shpresë për Shqipërinë, pa dënuar krimin e krimeve që është krimi elektoral.
Kjo është rruga në të cilën kemi vepruar me vendosmëri, shpeshherë të izoluar e të braktisur, sulmuar, të censuruar.
Gjykoj se sot, shumë më shumë shqiptarë i janë bashkuar kësaj beteje, që është betejë për të gjithë vendin, nuk është betejë vetëm për një parti politike, dhe shumë më shumë të tjerë po vetë ndërgjegjësohen dhe t’i bashkohen betejës për të çliruar politikën nga krimi dhe zgjedhjet nga kriminelët që është beteja për të rikthyer pushtetin tek njerëzit. Është beteja që qeveria e dalë nga vota e njerëzve, të ketë preokupim kryesor jetët e njerëzve.
Partia Demokratike siç ka qëndruar fort, do të vazhdojë të qëndrojë fort në këtë betejë me disa rezultate domethënëse deri më sot dhe të jeni të bindur se rezultatet do të vazhdojnë.

Exit mobile version