Arrestimi i 20-vjeçarit që mashtronte me programe mësimore dhe udhëtime falas në SHBA, reagon Ambasada Amerikane në Tiranë

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas arrestimit të 20-vjeçarit Ermes Hoxhalli, i cili mashtronte nxënës dhe mësues duke u premtuar programe arsimi e udhëtime falas në SHBA.

Në një reagim në “X”, ambasada e SHBA, ka shprehur vlerësimet policisë dhe Prokurorisë së Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë.

Ndër të tjera, Ambasada bën me dije nga hetimet e përbashkëta gjashtë-mujore u arrestua një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.

Ambasada Amerikane në Tiranë:

Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë.

Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta.
Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.

Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.

Exit mobile version