Aksioni i parë i opozitës shqiptare në vitin 2013 ka qenë ai kundër blerjes së votave nga LSI që në aleancë me PS shkoi të blinte vota në bashkinë Korçë. Asokohe, i ndjeri Olldashi do të deklaronte nga kuvendi, në fjalimin e tij të fundit nga ajo sallë, se PD dhe PS kishin mësuar blerjen e votave pikërisht nga LSI. Nuk e kishte gabim.
Sot, dhjetë vjet pas kësaj nisme opozitare që avancoi duke treguar se si PS blinte votat në Dibër dhe në Durrës edhe përmes bandave, opozita Meta-Berisha ka degjeneruar në blerjen e votës në mënyrë të turpshme aq sa SPAK arrestoi një grek nazist si Bejleri. Ky arrestim vjen pasi disa eksponentë të Partisë së Lirisë u kapën nga kamerat duke tentuar të blejnë votat.
Si mundet që një opozitë e tillë të jetë shpresë për shqiptarët aq më tepër përballë Ramës? Si mundet që të jetë ndryshe një opozitë që pretendon rikthimin e demokracisë ndërsa angazhohet të blejë vota në mënyrë të turpshme? Disa nga surrogatët e saj mediatikë që ulërasin në media pro Berishës, pasi për vite kanë thërritur për arrestimin e tij, sot mund të argumentojnë se Berisha duhet të mbledhë gjithë hajdutët vetëm për të rrëzuar Ramën.
Kjo është një thirrje e dëshpëruar dhe e tmerrshme që nuk i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve por vetëm klanit Berisha. Ky vend është i ngopur nga shpëtimtarët e rremë dhe mashtrues që kanë përdorur çdo mjet për të arritur qëllimin e pushtetit apo kënaqjes së egos të surrogatëve të Berishës dhe Metës. Shqiptarët ngaqë kanë dëgjuar dhe pranuar këto teori “shpëtimi” kanë degjeneruar në një gjysmë autokraci që i ka larguar përditë e më shumë nga demokracia dhe dinjiteti.
Nga ana tjetër, opozita po tregon se në fakt akuzat për Berishën si nongrata si pasojë e minimit të demokracisë janë mëse të vërteta pasi të angazhohesh në mbrojtjen e një personi që vjedh votat dhe që me ato vota do të minojë dhe stabilitetin e Shqipërisë me akuza pro-greke është turp kombëtar dhe i dënueshëm.
Sa më shumë afrohet 14 maji aq më e qartë bëhet kjo betejë mes uzurpuesve të opozitës dhe një Partie Demokratike që ndonëse e padëgjuar deri tani ka folur qartë për mbi një vit për gjithë rreziqet që i kanosen Shqipërisë. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë problemi real i këtij vendi që po mban peng dhe një opozitë me dhunë dhe para të pista. Ata janë bashkëpunëtorët realë të kësaj qeverie duke sajuar shpifje dhe duke i ndihmuar si Ramën dhe Veliaj nga akuzat reale politike dhe alternativa opozitare për të vazhduar pazarin e tyre.