PD zyrtare votoi pro kërkesës së SPAK, duke bërë që Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve në Kuvend t’i hapë rrugë përpilimit të raportit që do t’i paraqitet seancës plenare, ku pritet miratimi i kërkesës për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Anëtari i Kryesisë së PD Endri Hasa i ftuar në “Studio Live” në Report TV me gazetarin Arbër Hitaj, tha se qëndrimi i PD zyrtare ka qenë gjithmonë i njëjtë në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se politikanët duhet të jenë të barabartë me qytetarët para ligjit.
“Qëndrimi i PD ka qenë gjithmonë në mbështetje të drejtësisë/ është qëndrim i kahershëm i joni. Çdo politikan duhet të jetë i njëjtë para drejtësisë si çdo qytetar. Duhet të shkojë para ligjit i barabartë. Ka qenë qëndrim sa herë është kërkuar heqja e imunitetit për gjithkënd. Ne jemi në mbështetje të SPAK e kemi bërë këtë që në krijimin e tij. Jemi në mbështetje të korrupsionit pa kompromis”, tha ai.
I pyetur nëse ka pasur presione ndaj PD zyrtare që të mos votojnë për heqjen e imunitetit të Berishës, Hasa u shpreh se ish-kryeministri donte ta përdorte PD për betejën personale por nuk ia doli:
“Përfaqësuesit e PD kanë qenë të qartë për mbështetjen e tyre. Nuk jemi intimiduar asnjëherë. Nuk biem pre e asnjë presioni kushdo ta bëjë këtë. Ne e kemi thënë që beteja e Berishës ishte personale dhe ai donte ti përdorte demokratët për betejën e tij personale. Sot arritëm te ajo ditë që beteja nuk është për demokratët, beteja që bëmë ne është për demokratët”, shtoi ai.
Në seancën e ditë së enjte ku do të dërgohet për votim raporti që do përpilohet nga Këshilli i Mandateve, Hasa bëri me dije se do të jenë të pranishëm të gjithë deputetët e PD zyrtare, me në krye Bashën, të cilët do të votojnë pro kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-Kryeministrit.
“Do votohet raporti. Kemi qenë gjithmonë pro heqjes së imuniteit dhe të gjithë deputetët e Pd do shkojnë për të votuar”, tha ai i pyetur nëse do të shkojë kryedemokrati Lulzim Basha.