Vladimir Gjuta, i akuzuar për vënien e tritolit në farmacinë e bababit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por që u lirua për mungesë provash ka përfunduar sërish në pranga. Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin, i cili akuzohet për dhunë ndaj babait të tij dhe thyerje të masës së sigurisë.
78-vjeçari Ferit Gjuta, babai i Vladimirit kishte ardhur në gjykatë dhe pas seancës deklaroi për mediat se, akuzat ndaj djalit të tij janë të stisura dhe se asnjëherë nuk është dhunuar prej tij. Ai sqaroi se e kishte njoftuar policinë vetëm për ta përcjellë Vladimirin drejt banesës së tij në Sauk, ku duhet të rrinte nën masën “arrest shtëpie”.
Duke këmbëngulur se nuk është ushtruar dhunë në familje, i ati, Ferit Gjuta tregon se shkak për shkeljen e arrestit është bërë një festë familjare. “Jam pak i inatosur tani. Ne s’kishim qejf të vinte policia sepse unë e njoftova vetë, se djali kishte shkelur arrestin e shtëpisë dhe firmosa. Kur shkoj te shtëpia u them se kam firmosur. Çfarë ke bërë, paske firmosur për dhunë, më thonë. Çfarë dhune, u thashë, ju ishit aty, nuk pati dhunë”, tregon Gjuta.
I ati i Gjutës tha më tej se djali i tij ka qenë i ngarkuar psikologjikisht se është dënuar padrejtësisht. “Jemi shumë të ngarkuar. Djali ka qenë i dënuar për disa probleme farmacie, i cili mori pafajësinë. Në burg ka dhe ngarkesat e veta. Një ditë nga këto të fundit kishte një festë në familje. I thashë shko tek shtëpia jote që të jemi në rregull me shtetin. Jo, unë nuk shkoj, tha. Gjatë kësaj kohe njoftova policinë, ishte ora 2 e natës. Në asnjë mënyrë nuk jam dhunuar, përkundrazi. I kërkojmë edhe gjykatës se ai ka nevojë për ndihmë mjekësore. Nuk kam as shenja, asgjë. Veç me pas ndonjë babë tjetër ai. U kam thënë vetëm ka thyer arrestin e shtëpisë. Më vjen turp edhe prej djalit, se nuk kam moshë unë me rrejt”, tregon babai i Vladimir Gjutës.
Vëllai i Vladimir Gjutës e cilësoi arrestimin një skandal dhe sulm nga ana e strukturave shtetërore. Sipas vëllait të Gjutës, ky është një sulm për të prishur imazhin e mirë të familjes dhe fisit të tij të nderuar. “Po na sulmojnë strukturat shtetërore. Ne jemi një fis i mrekullueshëm. Nuk ka bërë kurrë vaki se babai është dhunuar nga Vladimiri. S’ka bërë vaki kurrë. Përgjegjësit kryesorë do të marrin ndëshkimin, se s’kanë për të gjetur asgjë. Na kanë futur në burg, na kanë keqtrajtuar dhe s’kanë gjetur gjë. Ne duam që të dalin nga burgu djali, se kemi një djalë shumë fisik, djalë që ia arrin t’ja dalë gjithçkaje. Kam qenë i pranishëm kur u arrestua vëllai. Babai nuk është dhunuar në mënyrë kategorike. Kurrën e kurrës”, tha Gjuta.
Vladimir Gjuta u arrestua qershorin e vitit të kaluar, nën akuzën e organizatorit të vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Por më 5 maj u lirua nga burgu për mungesë provash. Ai vuajti një dënim vetëm për armëmbajtje pa leje derisa u lirua në “arrest shtëpie”.