Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë njoftim zyrtar për arrestimin e Rajmonda Dashit, ish-drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit.
SPAK e akuzon atë për veprat penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Sipas Prokurorisë, Rajmonda Dashi ka vepruar kundër ligjit duke pastruar paratë e dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike. Hetimi ka nisur 3 vite më parë, teksa SPAK ka provuar se Rajmonda Dashi në bashkëpunim me A.M, kanë kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri vëllezërit B.R dhe L.R.
SPAK ka sekuestruar 12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit; 4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës; 3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës; 27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare; Një shoqëri tregtare; 2 (dy) automjete.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e akteve te dërguara nga autoritetet e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës ka regjistruar procedimin penal nr. 18, të vitit 2023, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorine e Përgjithshme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasit shqiptarë B. R dhe L. R (vëllezër), të dënuar nga autoritetet Belge të Drejtësisë për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti në bashkëpunim të veçantë me personat nën hetim A.M dhe R.D kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Veprimet e tyre kanë konsistuar a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
Në kuadër të këtij hetimi është kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masave të sigurimit personal shtrëngues për personat nën hetim.
Gjykata me vendimin nr. 114, datë 24.10.2023 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 26.10.2023 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata ndaj shtetasve A.M. dhe R.D.
Gjtihashtu gjatë hetimit janë identifikuar pasuritë dhe veprimet juridike të kryera mbi këto pasuri, ku është kërkuar sekuestrimi i pasurisë sipas ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009, i ndryshuar, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 29, datë 23.10.2023 ka vendosur sekuestrimin për pasuritë e mëposhtme:
12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;
4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;
3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare;
Një shoqëri tregëtare;
2 (dy) automjete;