Arrestimi i Jurgis Çyrbjas/ Zbardhen mesazhet, Mond Çekiçi – deputetit: Ta mbarova punën, ti i 5-ti, Liri i 7-ti

Prej mbrëmjes së 20 tetorit, Jurgis Çyrbja po mbahet në paraburgim nën dyshimet për korrupsion zgjedhor, tregtim të sekretit shtetëror dhe mbështetje të autorit të krimit. Ai u arrestua disa ditë pasi dorëzoi mandatin për shkak se ishte shpallur i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre gjatë kohës kur drejtonte Hipotekën e Durrësit.
Një hetim i dytë, bazuar në të dhënat e aplikacionit të koduar Sky ECC, zbuloi se figura të botës së krimit kishin ndikuar tek zyrtarë të lartë socialistë për të siguruar që Cyrbja të renditej në listën e sigurt për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Një prej këtyre personazheve është Edmond Çekiçi, i njohur me nofkën Mond Koçi, i cili u ekzekutua në vitin 2021 në Durrës dhe ishte i njohur si njeriu i besuar i Plarent Dervishajt.
Në mesazhet që Çekiçi shkëmbente me ish-deputetin, ai e informonte se “e kishte përfunduar punën dhe kishte marrë garancinë që Cyrbja do të ishte i pesti në listë, ndërsa Liri (Ilir Ndraxhi) i shtati”. Një person i paidentifikuar gjithashtu i garantonte Cyrbjas se do t’i siguronte mijëra vota, duke shkruar: “Maje mend, ne marrim 4 mijë vota në Bashkinë Shijak, Xhafzotaj e kemi blindu, Gjepalen po…”
Altin Hajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, gjithashtu ka ndikuar që Cyrbja të ishte në listën e sigurt, ndërsa në këmbim, deputeti e informonte për lëvizjet e policisë dhe i jepte garanci që të mos arrestohej.
Jurgis Çyrbja është politikani i parë që dyshohet për krim zgjedhor, dhe të dhënat kundër tij u siguruan nga komunikimet në aplikacionin Sky ECC, të cilin autoritetet franceze e vunë në dispozicion të SPAK.

Exit mobile version