Nga Ergys Mërtiri
Pamjet e ish-Presidentit të Republikës që tërhiqet zvarrë për tu dërguar në burg, janë natyrisht të pakëndshme dhe të padenja për një vend normal. Por për një vend që është vjedhur e përçudnuar si kurrkund për 33 vjet dhe askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, këto pamje ofrojnë shpresë. Natyrisht, edhe Ilir Meta, si çdo qytetar i këtij vendi, gëzon të drejtën e prezumimit të pafajsisë derisa gjykata të thotë fjalën e fundit, por duhet thënë gjithashtu se, po si çdo qytetar i këtij vendi, ai ka detyrimin të përgjigjet para drejtësisë për akuzat që lidhen me ushtrimin e detyrës, gjatë kohës kur ai ka qenë në pushtet.
Në një vend si Shqipëria, ku pushtetarët, majtas dhe djathtas, kanë gëzuar privilegjin e të qenit të paprekshëm duke mos dhënë kurrë llogari për abuzime të tmerrshme që i janë bërë këtij vendi, është lajm i mirë – madje i mrekullueshëm – kur të paprekshmit fillojnë të vihen në bankën e të akuzuarve.
Mbështetësit e Metës dhe Berishës po thonë tashmë se arrestimi i sotëm është sulm i Edi Ramës për të shkatërruar opozitën. Kjo në fakt është krejtësisht e pavërtetë, madje përkundrazi, arrestimi i Metës dhe Berishës është gjëja e fundit që ai do kish dashur.
Së pari SPAK-u nuk është aspak nën kontrollin e Edi Ramës. Përkundrazi, ai është kërcënimi i vetëm dhe mjaft serioz për të dhe qeverinë e tij. Nëse ka ndonjë vullnet që ka fuqi imponuese ndaj SPAK-ut ai gjendet vetëm tek faktori ndërkobëtar dhe jo tek Rama. Përkundrazi, SPAK-u ka goditur më shumë se askush tjetër imazhin e kësaj qeverie dhe e ka copëtuar në sytë e publikut moralin e saj.
SPAK ka arrestuar dhe vënë nën hetim njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës, ministra, deputetë, kryetarë bashkishë, drejtorë, funksionarë të lartë, përfshi këtu edhe grupe kriminale të cilat kanë shërbyer si shtab elektoral për të blerë vota në terren. Vetëm me amnistinë e fundit, me votën e Ramës dhe Berishës, u liruan 115 vetë të arrestuar nga SPAK-u, të cilët janë zemra e patronazhimit të PS-së në zgjedhje. Hetimet e deritanishme do ta kishin rrëzuar këtë qeveri, nëse përballë saj nuk do kishte pikërisht dyshja Berisha-Meta.
Jo më kot, Rama e ka vënë në shenjestër këtë prokurori, duke e penguar me çdo mjet, që nga mosbashkëpunimi i policisë me të, tek mosrealizimi i kërkesave të Dumanit për shtim të personelit dhe zgjatje të mandateve, e deri tek më i rrezikshmi komisioni parmalemtar Xhafa, i ngrutur dukshëm për të shkatërruar fuqinë e tij. Garancia e vetme që ka bërë që kjo prokurori të jetë ende në këmbë janë vetëm ndërkombëtarët.
E vërteta është se Rama nuk është absolutisht i interesuar të eleminojë Metën dhe Berishën. Përkundrazi, ata janë sot aseti më i madh i tij për të mbajtur pushtetin. Prej kohësh, ata kanë qenë veç barrë për opozitën dhe shkaktarët kryesorë të pamundësisë së saj për të përmbysur qeverinë, megjithë skandalet e tmerrshme që i kanë plasur. Rama e di mirë se eleminimi i tyre i hap rrugën eleminimit të tij. Ai e ka të qartë se pas tyre e ka ai rradhën, ndaj dhe ai është sot njeriu më i shqetësuar për këtë arrestim.
Pra Berisha dhe Meta kanë qenë barrë për opozitën dhe nëse do të kishin vërtetë interes për ta shpëtuar atë, gjëja e parë dhe e vetme që do bënin është ta çlironin atë nga kjo barrë duke u larguar me kohë. Por jo, ata ndenjën aty duke i dhënë kosoto opozitës e duke i dhënë mundësi Edi Ramës të motivojë votuesin e majtë me alarmin: Po ika unë, do iu vijë Saliu dhe Iliri.
Ata nuk hapën rrugë as kur mësuan se janë nën akuzë, duke e shtrënguar fatin e opozitës pas fatit të tyre pa kthim. Ata nuk zgjodhën të përballen me drejtësinë duke lënë mënj’anë imunitetin politik, por zgjodhën të përdorin partitë e tyre, njerëzit e tyre, mbështetësit e tyre, si barrierë njerëzore kundër drejtësisë. Ata e shkatërruan opozitën për të mbrojtur veten, ndërsa në realitet as veten nuk po e mbrojnë dot.
Për këtë arsye, largimi i tyre do ti jepte vetëm shëndet opozitës duke i dhënë fund pengmarrjes së tyre 30 vjeçare. Sa më shpejt që opozita ta kuptojë këtë, ndonëse sot është shumë vonë, aq më mirë do jetë për të.