Arrestohen 4 tregtarë të duhanit, i lirë oficeri që i kërcënoi me armë

Policia e Shkodrës ka dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku shefi i Krimit Ekonomik, Pjerin Lazri, kërcënoi me armë tregtarët e duhanit. Çuditërisht në deklaratën e policisë nuk thuhet asnjë fjalë për këtë veprim të Lazrit, apo nëse është marrë ndonjë masë ndaj tij, por vetëm njoftohet për arrestimin e 4 personave nga radhët e tregtarëve.
Katër tregtarë të duhanit në Shkodër u vunë në pranga ditën e sotme, pasi një ditë më parë kundërshtuan me dhunë punonjësit e antikondrabandës dhe të policisë. Në një video të publikuar në media, tregtarët e duhanit shfaqeshin duke i bërë rezisitencë aksionit blic të ushtruar nga inspektorët e Tatimeve dhe të Krimit Ekonomik të drejtorisë vendore të Policisë së Shkodrës, për sekuestrimin e sasive së duhanit që ata shesin çdo ditë aty.
Por tregtarët e duhanit i janë përgjigjur veprimeve të Tatimorëve dhe inspektorëve duke i gjuajtur atë me sende të forta. Përplasja ka ndodhur në lagjen “Rus” të qytetit të Shkodrës. Ndërsa në një moment, në videon e publikuar, shefi i Krimit Ekonomik në Shkodër, Pjerin Lazri, ka nxjerrë pistoletën për të frikësuar tregtarët, të cilët po tentonin të merrnin nga furgoni duhanin e sekuestruar.
“Gjatë kontrollit të ushtruar, tregtarët kanë bërë rezistencë dhe për shkak të detyrës kanë kundërshtuar me dhunë e goditur me sende të forta punonjësit e antikondrabandës dhe të policisë, të cilët po kryenin detyrën për konfiskimin e një sasie duhani të grirë, pa dokumentacionin përkatës. Pas hetimeve të kryera u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve, konkretisht Arjan Halili, 30 vjeç, banues në Shkodër, Marjan Palalej, 35 vjeç, banues në Shkodër, Denis Zefi, 24 vjeç, banues në Shkodër dhe Astrit Muçaj, 39 vjeç, banues në Shkodër.
Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetim ndaj punonjësve që nxorën armën gjatë përplasjes me tregtarët. Mësohet se ndaj tyre ka nisur hetim kryesisht për “shpërdorim detyre”.
Tregtarët e duhanit vijnë nga zona të ndryshme, kryesisht nga fshatrat e njësisë Guri Zi dhe Postribë, për të shitur duhanin që e kultivojnë vetë dhe më pas e bëjnë gati për treg. Kjo mënyrë sipas Doganave dhe Tatimorëve cilësohet si kontrabandë, ndaj edhe herë pas here janë zhvilluar aksione për sekuestrimin e duhanit. Tregtarët nuk janë dakord për këto aksione, sepse sipas tyre me shitjen e duhanit mbajnë familjet e tyre, dhe thonë se nuk kanë të ardhura të tjera. Po ashtu nuk ka as një treg për ta shitur duhanin, ndërsa atë nuk ia grumbullon shteti, por as ndonjë grumbullues privat për eksport apo përpunim të brendshëm.

Artikulli paraprakRama: Donald Trump turpi i civilizimit tonë
Artikulli tjetërEkonomia amerikane pas zgjedhjeve