Arrestohen dy protestues, banorët: Rama nuk na tremb me burg, shtëpitë do t’i mbrojmë me trupat tanë

Policia e Tiranës ka arrestuar dy protestues të zonës së ‘Astir’-it. Mësohet se janë proceduar në gjendje të lirë edhe 20 persona të tjerë.
Në pranga kanë përfunduar Romeo Llulla dhe Kujtim Ylli, pasi akuzohen për tubim të paligjshëm, pengim të qarkullimit të mjeteve, shkatërrim të pronës dhe prishje të qetësisë publike.
Pavarësisht arrestimit të dy protestuesve dhe procedimit në gjendje të lirë të 20 të tjerëve, qytetaret e zonës së ‘Astir’-it të cilët preken nga projekti i Unazës së Re kanë dalë sërish në protestë në ditën e 26 të tyre.
Protestuesit kërkojnë të mos shemben banesat e tyre, ndërsa shprehen se punonjësit e bashkisë po punojnë natën duke hequr pemët dhe ndriçimin. Banorët kanë bllokuar rrugën dhe bëjnë thirrje për lirimin e dy të arrestuarve.
Vëllai i një prej protestuesve të arrestuar, Kujtim Yllit u shpreh se do mbrojë me çdo formë banesën e tij dhe nuk do lejojë të prishet.
“Më kanë arrestuar vëllanë. Të mos bëjnë arrestime se është turp. Edhe 25 vite burg të bëj, ajo shtëpia ime kur të kalojë mbi gjakun e fëmijëve të mi, të 4 vëllezërve të mi dhe në trupit tim, atëherë do mund ta prishin. Unë kam ardhur për të ardhmen e fëmijëve të mi këtu”, tha protestuesi.

Njoftimi i policisë
Komisariati i Policisë Nr.6 arrestoi dy shtetas për veprat penale “Organizimi, pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve dhe transportit”, “Shkatërrim i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim si dhe procedoi në gjëndje të lirë 20 shtetas të tjerë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6 arrestuan në flagrancë shtetasit:R. Ll., 41 vjeç, banues në Tiranë, K. Y., 58 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u proceduan në gjëndje të lirë shtetasit: K. Y., 21 vjeç, A. Ç., 58 vjeç, E. R., 28 vjeç, K. B., 32 vjeç, A. V., 29 vjeç, A. M., 46 vjeç, B. Ç., 38 vjeç, A. D., 62 vjeç, Sh.H., 24 vjeç, L. P., 31 vjeç, F. P., 51 vjeç, G. Q., 59 vjeç, Sh. S., 49 vjeç, L. K., 45 vjeç, F. A., 51 vjeç, R. D., 43 vjeç, K. V., 53 vjeç, I. N., 18 vjeç, E. F., 15 vjeç dhe Sh. B., (të gjithë banues në Tiranë). Këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në bashkëpunim kanë organizuar një tubim të paligjshëm duke bllokuar aksin rrugor për rreth 60 minuta, si dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

2 3

Exit mobile version