Prokuroria ka nxjerrë urdhër arresti për drejtorin dhe juristin e Burgut të Durrësit, pasi akuzohen se kanë ulur vitet e dënimit për të burgosurin Lulzim Berisha në mënyrë që të përfitonte lirimin me kusht. Sipas Prokurorisë, Astrit Kotaj dhe shtetasi T.L., akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, në vijim të hetimit të nisur kryesisht për lirimin me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.
Urdhëri i Prokurorisë për arrestimin e drejtorit të burgut, Astrit Kotaj është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga ana e Gjykatës. Ndërsa është shpallur në kërkim juristi T.L. bëhet e ditur se, nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulzim Berisha.
Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulzim Berisha i janë ulur vitet e dënimit. Ai duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht. Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuara nga nenet 186/3 dhe 248 të K.Penal. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po vijon hetimin lidhur me të tjerë persona të përfshirë në këtë çështje.
Në lirimin me kusht të kapobandës Lulzim Berisha është përfshirë edhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kryebashkiaku i Durrësit, ka lëshuar një vërtetim ku kërkonte lirimin e Lulzim Berishës me garancinë se do të punësohej në Bashki.
Prokuroria e Apelit Durrës dorëzoi në Gjykatën e Lartë rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila vendosi lirimin me kusht për të dënuarin Lulzim Berisha. Akuza argumenton se Lulzim Berisha duhet të kthehet në qeli dhe nuk mund të përfitojë nga dënimi me kusht, për disa arsye.
Sipas Prokurorisë, veprat për të cilat është dënuar Lulzim Berisha janë mjaft të rënda dhe ai nuk mund të përfitojë nga lirimi para kohe. Ai u arrestua në prill të vitit 2006, në Tetovë, pasi ishte shpallur në kërkim për 5 vrasje dhe krijim të një organizate kriminale.
Gjithashtu në rekurs, Prokuroria e Apelit Durrës sqaron se uljet e dënimit ndër vite për Lulzim Berishën kanë qenë të pajustifikuara nga togat e zeza. Prokuroria dyshon se koha e llogaritjes së kohës së burgimit nuk është e saktë.
Rekursi në Gjykatën e Lartë u bë një ditë, pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se kishte nisur një hetim për mënyrën si u lirua Berisha. Në sitën e hetuesve do të kalojnë veprimet e disa gjyqtarëve. Të njëjtën vepër dyshohet se kanë konsumuar edhe zyrtarë të Bashkisë Durrës, që kanë garantuar punësimin e tij, duke favorizuar lirimin me kusht.
Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi. Ai u dënua fillimisht me burg përjetë, më pas vendimi u ul në 25 vjet, por kreu i “Bandës së Durrësit” bëri vetëm 10 vjet burg dhe u lirua me kusht 5 vjet përpara se t’i përfundonte afati i dënimit.
Ja kush është juristi i burgut
Policia nuk e publikoi identitetin e juristit të Burgut të Durrësit për të cilin ka një mandat arresti, por mësohet se ai është Tedi Labi. Sipas burimeve, juristi i Burgut të Durrësit është i biri i Iljaz Labit, ish-nëndrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i arrestuar për korrupsion në tendera. Labi po hetohet bashkë me drejtorin e tij për skandalin e lirimit nga burgu të Lulzim Berishës.
Drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kote dhe juristi Tedi Labi akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet për lirimin e Lul Berishës. Mësohet se këtij të fundit i duheshin edhe 2 vjet e 7 muaj burg që të kërkonte lirim me kusht.
Ndërsa, juristi Tedi Labi është shpallur në kërkim, drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kote është arrestuar pasditen e djeshme me urdhër të Prokurorisë së qytetit bregdetar. Kotaj është arrestuar në shtëpinë e tij, në lagjen nr.13 të Durrësit. Sipas burimeve policore, mësohet se Kotaj nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë në momentin, kur i janë lexuar akuzat dhe është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Durrës.
Dako favorizoi lirimin e Lul Berishës
Pas arrestimit të drejtorit të Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj, radhën e ka kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Prokuroria ka nisur një hetim ndaj Dakos për një dokument të lëshuar prej tij, ku i garanton punësim në Bashki Lul Berishës. “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”, citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.
Ndërkohë, Partia Demokratike pas dorëzimit të kërkesës në Prokurori për nisjen e hetimeve ndaj kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i ka dërguar një shkresë edhe Kryeministrit për shkarkimin e tij nga detyra për përfshirje në skandalin e lrimit nga burgu të Lulzim Bersihës.
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u lirua më 5 dhjetor nga Gjykata e Apelit, pas një garancie për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, trupa gjyqësore e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin rendit nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se, “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Më pas, gjyqtarët argumentojnë se “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se, Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.
Si i janë ulur dënimet ish-kreut të “Bandës së Durrësit”
Më 5 dhjetor, ish-kreu i “Bandës së Durrësit” Lulzim Berisha, i dënuar për pesë vrasje dhe disa atentate u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës.
Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999. Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim, i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016. Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012.
Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg. BIRN analizoi të gjitha vendimet e Gjykatës së Durrësit dhe arriti në përfundimin se ato janë kontradiktore, me bazë ligjore të diskutueshme dhe të mbivendosura në kohë.
Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.
Më tej, më 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015–prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti.
Më 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.
Ndërsa më 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës.
Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri-tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë.
Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por Gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë më 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë, dhënë më 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja.
Sipas Gjykatës, në përllogaritjet e bëra më datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i Shkallës së Parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite 2 muaj dhe 22 ditë burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.
Në vendimin e lirimit, Gjykata e Apelit Durrës urdhëron Berishën që për një periudhë 5-vjeçare të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, duke iu nënshtruar programit rehabilitues dhe kushtëzohet që të mos kryejë vepër tjetër penale.
Vendimi i lirimit të Lulzim Berishës shkaktoi reagime të ashpra në Tiranë nga politikanë të mazhorancës dhe opozitës si dhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu. “Të mërkurën, kreu famëkeq i krimit të organizuar Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme”, tha ambasadori Lu.