Arrestohet i dyshuari i dytë për sulmin terrorist në Londër

Policia në Londër ka njoftuar se, ndërkohë është arrestuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Londër. Policia njoftoi të dielën në mëngjes, se të shtunën vonë është arrestuar një person 21-vjeçar, në paralagjen perëndimore të Londrës, Hounslow. Aksioni i arrestimit është kryer pak para mesnatës, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aksionet në kërkimin e përgjegjësve për sulmin terrorist të premten, kur në Londër janë plagosur rreth 30 persona. Të shtunën është arrestuar një 18-vjeçar në portin Dover. Pak orë më vonë është bastisur edhe një shtëpi në afërsi të aeroportit Heathrow.
Deri tani nuk ka të dhëna për identitetin e personit të dytë të arrestuar mbrëmë vonë. Të premten në stacionin hekurudhor Parsons Green, në perëndim të Londrës, ka ndodhur një shpërthim i rëndë, që si pasojë ka pasur lëndimin e dhjetëra personave, por asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime të rrezikshme për jetën. Pas sulmit në Britani të Madhe është dhënë sinjali i rrezikut më të lartë nga sulmet terroriste.

Artikulli paraprakMe Udinezen ishte një fitore e pistë
Artikulli tjetërBilanc tragjik, 30 fëmijë të vdekur nga aksidentet në 1 vit e 8 muaj