Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili është arrestuar në spital, ku ishte shtruar me urgjencë pas problemeve me zemrën. Mësohet se rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm Halili është paraqitur në Spitalin e Kukësit, ndërsa ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. “Sot paradite, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest me burg”, lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, për shtetasin të shpallur në kërkim, konkretisht Hasan Halilaj, 50 vjeç, banues në Kukës, me arsim të lartë, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Kukës. Materialet për veprime të mëtejshme do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës”, citohet në njoftimin e policisë. Dhoma ku ndodhet Halili ruhet me dy punonjës policie.
Ish-kryetari i Bashkisë ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohej për shpërdorim të detyrës. Nga hetimet e prokurorise së Kukësit rezulton se ish-kreu i Bashkisë së Kukësit në bashkëpunim me tre zyrtarët Hoxha, Deda dhe Ukperaj kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksioneve në shoqërinë “Klubi i Futbolli Kukës” sh.a., për të cilën më pas kanë paguar në mënyrë të paligjshme, në formë sponsorizimi, në periudhën 2011-2015 rreth 45 milionë lekë të reja. Mësohet se këtë shumë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar duke mospaguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit.
Prokuroria e Kukësit nisi hetimin në nëntor të vitit që shkoi, në bazë të një kallëzimi të Bashkisë së Kukësit, në të cilën ishin ngritur dyshime për veprime të paligjshme nga ana e ish-drejtuesve të këtij institucioni, të cilët ishin larguar pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015. Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Kukësit, rezultoi në mënyrë të përmbledhur se Shoqëria “Klubi i Futbollit Kukësi” sh.a është krijuar në vitin 2011, si një shoqëri tërësisht private. Në vitin 2012, me një vendim fiktiv, me kërkesë të kryetarit të bashkisë në atë kohë, Bashkia Kukës regjistroi si aksionere e kësaj shoqërie, pa asnjë bazë ligjore.
Pas regjistrimit fiktiv si aksionere në këtë shoqëri private, Bashkia e Kukësit ka dhënë në formën e sponsorizimit për ekipin e futbollit mbi 45 milionë lekë të reja. Hetimi ka provuar se këto pagesa janë kryer tërësisht në kundërshtim me ligjin.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Kukësit konstatoi se shuma e paguar në formën e sponsorizimit për ekipin e futbollit është marrë nga fondi i përcaktuar për pagesën e detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore të pjesës më të madhe të punonjësve që janë të regjistruar në ndërmarrjet e bashkisë. Nga verifikimet ka rezultuar se për periudhën 2011-2015, shumë punonjës kanë marrë pagën, por nuk figuron të kenë të derdhura kontributet e detyrueshme, të cilat dorëzohen në Drejtorinë e Tatimeve nga ana e punëdhënësit (bashkia në rastin konkret).
Po ashtu, rezulton se Bashkia e Kukësit për periudhën objekt-hetimi ka qenë në dijeni të borxhit të akumuluar për shkak të mospagesës së detyrimeve. Megjithatë, si nga ana e bashkisë, ashtu edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të rikthyer normalitetin financiar. Për më tepër, pavarësisht rritjes së borxhit nga viti në vit, rezulton se organika e bashkisë është rritur periodikisht, duke shtuar ndjeshëm detyrimin që institucioni kishte ndaj administratës tatimore.