Arrestohet nga policia e më pas lirohet kunati i Tahirit, shkarkohen 7 policë

Shtatë punonjës policie janë shkarkuar dje me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, sepse kishin ndaluar kunatin e tij. Kunati i Tahirit është ndaluar tek ish-dogana nga forcat Shqiponja, por në mënyrë të menjëhershme, pasi është lajmëruar në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy të dërguar të Tahirit, të cilët me urdhër të tij kanë kërkuar lirimin urgjent të kunatit të ministrit. Kunati i Tahirit kishte sharë dhe dhunuar me mjete të forta një polic, ndaj dhe ishte arrestuar nga forcat Shqiponja. Në këtë moment, forcat Shqiponja kanë refuzuar lirimin e kunatit të Tahirit, ndërsa kanë deklaruar se do ta shoqëronin atë në Drejtorinë e Policisë. Kaq ka mjaftuar që Tahiri të urdhërojë shkarkimin e shtatë policëve si dhe procedimin e tyre në gjendje të lirë. Ish-kryeministri Berisha publikoi dje dëshminë e një oficeri, i cili denoncon edhe ngjarjen në fjalë. “Përshëndetje Doktor! 4 netë përpara Shqiponjat kanë ndaluar dhe shoqëruar kunatin e Saimirit, Alban Berisha, tek ish-Dogana. Ka shkuar aty me urgjencë Ejvi Robo dhe Genti Ceka. Ju kanë thënë që po vijmë me porosi të ministrit, pasi ai e ka kunat të shoqëruarin Alban Berisha, por lereni, hiqjani prangat, se do të merremi ne me këtë punë dhe e zgjidhim ne. Pasi policët e Shqiponjave nuk kanë dashur ta lirojnë, por kanë dashur ta shoqërojnë në drejtori të lidhur me pranga, pasi ai i ka sharë dhe ofenduar dhe ka dash t’i gjuajë një polici me shkop, menjëherë është vënë drejtori Ervin Hodaj në lëvizje dhe në bashkëpunim me SHKB, z.Ben Skendo ka dashur të arrestojë 4 policë. Kanë diskutuar deri vonë dhe pastaj i kanë proceduar në gjendje të lirë nga SHKB-ja dhe standardet për shkelje të rëndë i kanë pezulluar nga detyra dhe policët dhe oficerin dhe Ladin, shefin e Shqiponjave, plot 7 vetë të Shqiponjave. Kanë vajtur policët tek Vini në zyrë dhe i kanë kërkuar me ngulm të thërriste aty Ejvin Robon dhe Gent Cekën. Mbas këmbënguljes së policëve ka ardhur aty Ejvi Robo dhe ata e kanë bërë për dy lekë në sy të drejtorit Ladi Laska, shefi i Shqiponjave… Shkëlzen Metushi, oficeri i tyre dhe 5 policë të Shqiponjave të 7 të pezulluar nga detyra për shkelje të rëndë dhe proceduar nga SHKB-ja. Ky Ejvi Robo është drejtor i Inspektimit të ministrit Tahiri, ky Genti Ceka është shoferi më i besuar i ministrit Tahiri”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha. Para tre ditësh, Berisha publikoi një tjetër skandal të zhdukjes së provave nga Çipa dhe Tahiri të vrasjes së Elton Çiços në Tiranë. Në një postim në Facebook, Berisha shkruante se, mësohet se Ardian Çipa, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i fsheh provat me urdhër të ministrit Saimir Tahiri. Po kështu, në mesazhin e qytetarit flitet për lidhjet e viktimës, Elton Çiço me kreun e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi dhe Besmir Qebinin. “Oficeri dixhital informon: -Arma që fshehu polici në vendngjarje në lokalin ku u vra Elton Çiço, nga ekspertiza rezulton se është e Besmir Qebinit. -Saje qorri po fsheh të dhënat e ekspertizës tek Ardian Çipa nga Prokuroria! Sb”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit. “Përshëndetje doktor. Arma që fshehu polici në vendngjarje ku u vra Elton Çiço nga ekspertiza rezulton se është arma e Besmir Qebinit ushtarit të Shullazit, ish-nëndrejtorit të Policisë për Tiranën aktualisht zëvendësdrejtor i doganave të Shqipërisë! Këto të dhëna i janë dërguar Ardian Çipës, i cili me urdhër të ministrit nuk i dorëzon në Prokurori. Po shtoj se Elton Çiço, ka në pronësi të tijën lokal bar XXL përballë “Gjuhëve të Huaja” në emër të vëllait të tij, Antonel Çiço, ky i fundit në burg në Angli për trafik droge. Eltoni ka qenë 4 vjet i dënuar në Francë dhe 2 vjet në Greqi për trafik droge dhe ka një çështje në gjykim në Itali për “Associazione Delinquera”. Është djali i tezes së Tërmet Peçit-Kryebashkiak në Tepelenë. Eltoni është shoku më i ngushtë i Besmir Qibinit. Islam Qibini i ati i Besmirit është djalë teze me Edmond Targaj. Eltoni është një prej kokave që drejtonin çunat e Tepelenës që janë dërguar prej tij dhe marrë nga Edmond Targaj në Dibër”.

A.Shahini

Artikulli paraprakSi ranë të gjitha pikat e Ramës për kapjen e drejtësisë
Artikulli tjetërNuland-Basha: Tani në axhendë, zgjedhjet e lira