Një protestues i Unazës së re, është prangosur sonte nga Policia e Tiranës. Mësohet se protestuesi Artur Muja, është arrestuar te Unazë, para se të niste protesta.
Mësohet se prangosja e tij është bërë në shtëpi, me pretekstin se ka marrë pjesë në protestat e mëparshme.
Lidhur me këtë arrestim, kanë reaguar banorët e Unazës, duke i lënë edhe një ultimatum ministrit të brendshëm Sandër Lleshajt.
“Në rast se nuk e lironi Arturin, protesta jonë do të zhvendoset para komisariatit nr. 6”, paralajmërojnë banorët.
Banorët e Unazës së Re, kanë dalë sërish ditën e sotme në protestë duke kërkuar anulimin e projektit korruptim të qeverisë së Rilindjes. Ata kanë deklaruar se nuk mashtrohen nga lëvizjet e Edi Ramës i cili ka shkarkuar sot nga detyra kreun e ARRSH-së Afrim Qendron.
Sipas tyre Rama mund të emërojë e shkarkojë me qindra drejtorë, por banorët nuk do të tërhiqen nga protesta.
‘Ne nuk tërhiqemi mbrapsht deri sa të anulohet projekti. Nuk kënaqemi dhe as gënjehemi me këto që bën kryeministri duke hequr një drejtor dhe emëruar një tjetër’, deklaruan banorët.
Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe deputetët e opozitës.