Arrestohet trafikanti që u fsheh në makinën e ish deputetit të Ramës

Përveç kësaj, ndërtesa me vlerë 2 milionë euro dyshohet se është financuar nga të ardhura që mund të kenë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ka kryer ky shtetas më parë.
Lëshimi i urdhrit të arrestimit të tij nga Gjykata e Shkodrës është bërë për tri veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Ndërtim pa leje”.
Prokuroria në bashkëpunim me Policinë prej disa muajsh kishin nisur hetime për 44-vjeçarin, i cili tri vite më parë ishte pjesë dhe e debateve politike në vend. Ai i shpëtoi arrestimit në vitin 2015 duke u fshehur në makinën e ish-deputetit, Mark Frroku.
Përveç kësaj, në fund të vitit 2014 biznesmeni u shpall në kërkim për sasinë rekord të lëndës narkotike prej 800 kg kanabis sativa të kapur në Lagunën e Vilunit në Lezhë, që kishte si destinacion Malin e Zi.
PALLATI
Edhe pse pa lejen përkatëse të autoriteteve, Bardhok Planaj ka ndërtuar një pallat gjigant me 10 kate në qytetin e Shkodrës. Ndërtesa gjendet në lagjen “Rus” dhe kap një vlerë prej 2 milionë eurosh. Pallati është vendosur në sekuestro, pasi përveçse është ndërtim i paligjshëm, dyshohet se është ndërtuar me para që kanë ardhur nga trafiku u drogës. Ndërtimi është kryer nga firma e Planajt “Old-B”, të cilën e pezulloi përkohësisht pasi u shpall në kërkim dhe e riaktivizoi disa muaj më pas, kur arriti të dilte si person i papërfshirë në drogën e kapur në Lagunën e Vilunit.

DROGA
Bardhok Planaj njihet si biznesmen me lidhje të forta politike. Ai dyshohet se është marrë me aktivitetin e trafikut të drogës drejt Italisë dhe Malit të Zi. Grupi tij, ku dyshohet se janë përfshirë dhe politikanë, ka arritur që të trafikojë me dhjetëra ton kanabis drejt Italisë. Planaj u shpall në kërkim në tetor të vitit 2014. Më 30 shtator të atij viti, “Guardia di Finanza” ndoqi një skaf ku trafikantët për t’i shpëtuar ndjekjes hodhën në det 8 çanta hashashi, me peshë prej 210 kilogramësh.
Ndërsa në operacionin e dytë u arrit të sekuestroheshin 15 çanta me 594 kilogramë. Në pranga ranë me dhjetëra persona, ndërsa rezultatet e operacionit u publikuan 10 ditë më vonë nga ana e Policisë së Shtetit. Pas shpalljes në kërkim më 1 tetor 2014, Planaj dyshohet se i ka shpëtuar arrestimit nga ana e Policisë duke lëvizur me automjetin e Mark Frrokut, që në atë kohë ishte deputet. 44-vjeçari ka lëvizur me makinën e Frrokut nga një lokal në Kombinat për të shkuar në Laprakë dhe më pas i ka humbur vëzhgimit të Policisë.
I fshehur në makinën e deputetit
Pati dyshime se në tetor të vitit të shkuar, pasi policia ndërhyri për ta arrestuar, nuk u lejua pasi Pllanaj udhëtonte me makinën e Mark Frrokut, në atë kohë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Deputeti Frroku ka mohuar të ketë ndihmuar Pllanajn t’i shmangej arrestimit, por është raportuar se, në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut, shkruhet se i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit.
“Panorama”

Exit mobile version