Antoine Griezman te Manchester United është pothuajse gjithçka e kryer. Sipas mediave franceze është arritur marrëveshja për kalimin e sulmuesit të Atleticos së Madridit te Djajtë e Kuq në verën e ardhshme. Ndaj Barcelonës në humbjen 1-2 të Los Colchoneros në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit, 25-vjeçari realizoi golin e vetëm për skuadrën e Diego Simeones, por edhe pse për momentin ndihet mirë në “Vicente Calderon”, në korrik të këtij viti Griezman do të nisë një aventurë të re. Sulmuesi i përfaqësuesve së gjelave është i intriguar nga kampionati anglez dhe dëshiron ta vazhdojë karrierën pikërisht në ishull.
Te United Griezman do të luajë përkrah shokut të tij në kombëtare mesfushorit Paul Pogba, i cili ka patur një rol kyç që 25-vjeçari të pranonte ofertën e klubit nga “Old Trafford”, ndërkohë me shumë gjasa ish-lojtari i Real Sociedadit do të formojë një dyshe ëndrrash në sulm me gjigantin suedez Zlatan Ibrahimoviç. Me Manchester United, Griezman do të firmosë një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë plot 18 milionë euro në sezon, aq sa merr aktualisht edhe Paul Pogba. Për lojtarin interesohen edhe shumë klube të tjera të mëdha, si Bayern Munich, Chelsea dhe Interi, por Griezman ka zgjedhur skuadrën e Jose Mourinhos.
Ndërkohë për t’ia shkëputur Atleticos së Madridit sulmuesin francez drejtuesit e United do të paguajnë klauzolën e largimit të lojtarit nga Los Colchoneros që kap shifrën e plot 100 milionë eurove. Me Atleticon Griezman ka një kontratë deri në vitin 2021, por sipas të gjitha gjasave ky është sezoni i tij i fundit me Los Colchoneros.
Mançester Junajtid hodhi një tjetër hap të gabuar në misionin për një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. “Djajtë e Kuq” nuk shkuan dot përtej barazimit pa gola në shtëpi përballë Hall Sitit të vendit të parafundit. Ky rezultat e lë ekipin e Mourinhos në vendin e gjashtë me 42 pikë.
Në takimin tjetër të mbrëmjes, beteja e mesit të tabelës mes Stok Sitit dhe Evertonit u mbyll në barazim 1-1. Piter Krauç kaloi vendasit përpara pas shtatë minutash lojë, por autogoli i mbrojtësit Rajan Shaukros baraspeshoi rezultatin në pjesën e parë (39’). Pas këtij barazimi, Evertoni renditet i shtati me 37 pikë kurse Stok Siti dy shkallë më poshtë në kuotën 29.
Ndërkohë, Mançester Siti nuk gabon dhe në javën e 23-të të Premier Ligës fiton 4-0 në fushën e Uest Hemit. Skuadra e Pep Guardiolës iu rikthye lojës së bukur dhe rezultatit pozitiv pas zhgënjimeve në ndeshjet e fundit.
Miqtë nga Mançesteri mbyllën llogaritë që në pjesën e parë falë golave të De Brujnit (17’), David Silvës (21’) dhe Gabriel Zhezusit (39’). Për sulmuesin brazilian ky është finalizimi i parë me “Qytetarët”. “Pokerin” e vulosi Jaja Ture me një penallti në të 67-n. Kjo fitore e ngjit Sitin në pozitën e pestë me 46 pikë, aq sa ka edhe Liverpuli që renditet i katërti. Kurse Uest Hemi mbetet i 11-ti në kuotën 28.