Mungon ende firma, por marrëveshja për rinovimin e kontratës së Paulo Dybala me Juventusin tashmë është arritur. Në takimin e zhvilluar mes drejtorit të Përgjithshëm të bardhezinjve, Beppe Marota dhe përfaqësuesit të argjentinasit mirëkuptimi ka qenë i plotë. Oferta e Juves është 5 milionë euro në sezon, plus 1 milion, por me rritje graduale që do ta lejojë 23-vjeçarin të ketë një pagë të përafërt me Gonzalo Higuain, që aktualisht përfiton 7.5 milionë euro në sezon. Mbeten për t’u përcaktuar vetëm bonuset, para se marrëveshja të zyrtarizohet.
Kontrata e re do të ketë një kohëzgjatje deri në vitin 2021, madje përsa u përket termave ekonomikë është edhe më e mirë se kontrata e fundit e nënshkruar nga Pogba në vitin 2014-të.
Një detaj ky mjaft i rëndësishëm për xhevahirin bardhezi, të cilin Juventusi ka vendosur ta trajtojë si një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës, për të larguar sirenat spanjolle.
Zyrtarizimi është çështje e ditës, madje drejtuesit e Juventusit besojnë se gjithçka do të mbyllet që javën e ardhshme. Për pagën dakordësia është totale, mbeten për t’u përcaktuar vetëm detajet e fundit për bonuset. Pengesat janë të gjitha të kapërcyeshme, për të blinduar Dybala mungon vetëm firma.