Arrihet marrëveshja, opozita e bashkuar nën siglën e PD-së!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka arritur dje marrëveshjen me krerët e partive më të mëdha në kampin e djathtë. Pas disa takimesh të gjata është rënë dakord që pas Nard Ndokës dhe Dashamir Shehit (marrëveshja me të cilët u arrit një ditë më parë) edhe Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule të futen në listat e PD-së.

Marrëveshja

Sipas marrëveshjes aleatët e PD-së do të kenë dhe një apo dy deputetë sipas rastit, në listat më qëllim të qartë politik. Maksimizimi i votës mes partive aleate siguron mosrrjedhjen e të paktën 100 mijë votave, që në rastin më të mirë për aleatët mund të siguronin vetëm një deputet, dhe në rastin më të keq do të shkonin dëm, pasi sistemi është i tillë që në rast se nuk kalon një prag të caktuar, atëherë rrezikon të mbetesh pa asnjë mandat deputeti, megjithëse mund të marrësh dyfishin e votave në një rast tjetër po të ishe në koalicion. Por, marrëveshja e PD-së është akoma më mirë dhe se koalicioni, për arsye se të gjitha votat unifikohen rreth siglës së PD-së, duke unifikuar votat, dhe pa bërë shpërndarje të tyre. Pra, në fletën e votimit nga krahu i djathtë do të jetë vetëm Partia Demokratike dhe Partia Republikane për t’u votuar. Kjo e dyta do të jetë formale, dhe si strategje elektorale për të siguruar numëruesin, pasi në rast se ajo vendos të mos regjistrohet nën siglën e saj, numëruesi ose anëtari i KZAZ dhe QV i kalon për çdo rast PDIU, e cila garon më vetë, por në koalicion qeveritar me Partinë Socialiste.
Por në rast se në krahun e djathtë do të votohet vetëm për një sigël partie, nuk është e njëjta situatë në krahun kundërshtar. Të gjitha partitë e regjistruara, 15 kanë kryesisht elektorat të majtë. Një rrjedhje votash masive që mund t’i shkaktojnë disfatë të thellë të majtës. Eshtë thuajse e njëjta situatë me vitin 2005, kur Partia Demokratike nuk i la aleatët e saj të dilnin më vete, dhe nxorri kandidatë të përbashkët në sistemin mazhoritar, duke korrur një fitore spektakolare. Gjithsesi, është 25 qershori, ai që do të vendosë për çdo gjë, por gjasat që të ripërsëritet një situatë si ajo e vitit 2005 janë të mëdha.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërLista fituese e Republikës së Re