Zëdhënësja, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediat, është shprehur se para dy muajsh ARRSH shpalli të paktën 13 procedura tenderimi për ndërtim ose rehabilitim rrugësh me një vlerë totale afërsisht 200 milionë euro, me kritere dhe kushte që u pamundësonte konkurrimin kompanive ndërkombëtare dhe për të favorizuar 5 oligarkët e qeverisë.
Karabina shprehet se edhe pse PD denoncoi këto procedura, në qershor ARRSH ka shpallur fituesit, vlerat e të cilave si në çdo tenderim janë të tejfryra, gjë që faktohet edhe me skualifikimin nga gara të ofertave më të arsyeshme dhe shpalljen fitues të subjekteve në pronësi të klientëve të qeverisë.
Ajo gjithashtu thotë se PD do të depozitojë në SPAK një kallëzim penal për këtë bandë të drejtuar nga Belinda Balluku si ministre e linjës duke përfshirë funksionarë të ARRSH që kanë firmosur kriteret për të përjashtuar kompani shqiptare apo të huaj për të marrë pjesë në garë.
DEKLARATA E ZËDHËNËSES, MIRELA KARABINA
Vjedhja dhe Korrupsioni galopant i Qeverisë së Edi Ramës është i përhapur në çdo ind të shtetit. Ndaj dhe sot një ish zëvendës kryeministër, ish-ministra, ministra e drejtorë drejtorish janë nën hetim nga SPAK.
Para dy muajsh, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) shpalli të paktën 13 procedura tenderimi për ndërtim, zgjerim ose rehabilitim rrugësh në një vlerë totale afërsisht 200 milionë euro.
Edhe pse këto procedura u publikuan në media ndërkombëtare, ministrja Balluku me zgjatimet e saj në ARRSH për të favorizuar 5 oligarkët e përhershëm që marrin këto tendera, vendosi në kriteret e tenderimit kushte dhe afate që asnjë kompani e huaj nuk kishte mundësi t’i plotësonte.
Në muajin qershor ARRSH ka shpallur fituesit e 200 milionë euro tendera, vlerat e të cilave si në çdo tenderim janë të tejfryra, gjë që faktohet edhe nga ofertat shumë herë më të ulëta të operatorëve ekonomikë në garë, të cilët nëse do të kualifikoheshin ata fitues dhe jo klientët e përherëshëm të qeverisë, buxhetit të shtetit do t’i kursehej 20 milionë euro ose 10% e vlerës totale të tenderuar.
Në momentin e shpalljes, PD ka denoncuar vendosjen e kritereve që përjashtojnë operatorët e huaj me qëllim përfitimin e këtyre tenderave nga klientët e qeverisë, sikurse edhe ka ndodhur.
Dhënia e tenderave më vlerën 200 milion euro oligarkëve duke bërë punë jashtë cilësie dhe duke mos lejuar kompani të tjera shqiptare apo të huaja që në bashkëpunim mes tyre të jenë pjesë e këtyre tenderimeve që ofrojnë kosto më të ulët dhe cilësi më të mirë të rrugëve, dëshmon vjedhje nga kjo bandë hajdutësh dhe favorizim të të njëjtëve oligarkë.
Prokurimet publike që publikoi ARRSH kishin një afat për depozitimin e dokumentacionit nga 30 deri ne 35 ditë kalendarike, ndërkohë që nga portali i E-Albania duhen 40 ditë për të marrë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Ballaku për njehësimin e licensave.
Dhe sot rezulton që kompanitë që kanë fituar tenderat për ndërtim, zgjerim apo rehabilitim të rrugëve janë kompani shqiptare, klientë të qeverisë.
Këta funksionarë shtetërorë kanë konsumuar minimalisht veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Ne do të depozitojmë në SPAK një kallëzim penal për këtë bandë të drejtuar nga Belinda Balluku si ministre e linjës duke përfshirë funksionarë të ARRSH që kanë firmosur kriteret për të përjashtuar kompani shqiptare apo të huaj për të marrë pjesë në garë.
Ne kemi detyrimin për të qenë në shërbim të qytetarëve duke denocuar dhe ҫuar para drejtësisë çdo funksionar që abuzon me detyrën në dëm të tyre apo dhe vetë kompanive sepse,
Shqiptarët meritojnë më shumë,
Shqipëria meriton më shumë!