ARRSH, tender 1.2 milionë euro për të numëruar makinat në rrugët me pagesë

Teksa rrugët me pagesë pritet të shtohen, Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të ngrejë një platformë të integruar për menaxhimin, monitorimin dhe operimin e stacioneve të tarifimit.

Ky dikaster ka hapur tenderin me fond limit rreth 120.3 mln lekë, teksa në dokumentet shoqëruese bën me dije se Platforma Smart Tolling Softëare (STSP) duhet të jetë në gjendje të mbledhë dhe analizojë të dhëna mbi vëllimet e trafikut, klasifikimet e automjeteve, shpejtësinë e automjeteve dhe tarifat e pritshme dhe të mbledhura.

“Aftësitë e të dhënave të STSP dhe raportit duhet të lejojnë menaxhim më të mirë të operacioneve të tarifave, duke siguruar të ardhura maksimale”, – thuhet ndër të tjera në dokument.

Përdorues të platformës do të jenë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, si dhe koncesionarët ekzistues dhe ata të ardhshëm.

Aktualisht janë 2 akse ku aplikohet pagesa për kalimin në rrugë e më konkretisht rruga e Kombit dhe rruga Thumanë – Kashar, ndërkohë që këtë viti pritet të nisë pagesa për kalimin në tunelin e Llogarasë. Po ashtu, pjesë e sistemit do të jenë edhe segmentet e rrugës Kashar – Lekaj, që janë në ndërtim.

Sa i takon Enti Kombëtar të Operimit Rrugor, ai u ngrit vitin që shkoi me vendim qeverie, teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve.

Sipas vendimit, EKORR ka si objekt të veprimtarisë jo vetëm operimin e rrugëve me pagesë, por edhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së operimit, siç janë vendet e pagesës, prodhimin dhe shpërndarjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) për përdoruesit e rrugëve me pagesë, arkëtimin e tarifës, etj.

Po ashtu, kjo shoqëri do të ketë si objekt të punës edhe monitorimin dhe koordinimin e shërbimit të operimit në rrugët me pagesë, operimi i të cilave kryhet nga shoqëritë koncesionare përkatëse.
Scan 

Exit mobile version