International Champions Cup sjell një tjetër përballje interesante, të dy gjigantëve të futbollit europian, Bayern Mynihut-Arsenal. Në mendjen e “Topçinjve” të Londrës ka vetëm një mision, të hakmerren ndaj bavarezëve, për atë humbje të thellë që i shkaktuan në Champions League. Tekniku i kampionëve të Gjermanisë, ka në dispozicion disa prej titullarëve, siç janë Robert Lewandowski, Thomas Muller, si dhe Mats Humels. Të gatshëm do të jenë edhe dy transferimet e kryera së fundmi, James Rodriguez dhe Corentin Tolisso. Nuk do të jenë pjesë e këtij dueli, Joshua Kimmich, Sebastian Rudy, Niklas Sule dhe Arturo Vidal, të cilët për shkak të angazhimeve me kombëtaret e tyre, në Kupën e Konfederatës dhe Europianit U-21, këta futbollistë janë me pushime.
Optimizëm ka dhe në kampin e Arsenal. “Topçinjtë” e Londrës kanë zhvilluar disa takime miqësore në Sidney të Australisë. Alexis Sanchez nuk i është bashkuar dot grupit, ndërkohë që blerja më e re e klubit londinez, Alexandre Lacazette është gati të japë kontributin e tij, së bashku me pjesën tjetër të lojtarëve siç janë Mezut Ozil, Aron Ramsey dhe Oliver Giroud.
Bayerni i Mynihut vjen me një bilanc pozitiv në takimet e zhvilluara kundër Arsenal. 10 gola kanë pësuar “Topçinjtë e Londrës” nga ana e bavarezëve. Këta të fundit duket e kanë shndërruar Arsenalin në viktimën e tyre të preferuar. Takimi do të luhet në Kinë, në “Shangai Stadium”.