Arsenali pa shpenzime të mëdha

Arsenali nuk ka ndërmend të hyjë në një garë shpenzimesh marramendëse në merkaton e transferimeve. Kjo është ajo që ka deklaruar shefi ekzekutiv i klubit londinez, Ivan Gazidis, i cili theksoi se “Topçinjtë” nuk mund t’ia lejojnë vetes që të bëjnë gabime të mëdha. Në merkaton e kësaj vere, Arsenali siguroi shërbimin e mesfushorit Granit Xhaka, sulmuesit Asano dhe qendërmbrojtësit Rob Holding. E megjithatë kritikat në drejtim të këtij klubi në këtë pikë nuk kanë munguar, sidomos në aspektin e përforcimit të repartit të sulmit.
Gazidis mbrojti politikën e ndërmarrë duke theksuar se ajo që dëshirohet më shumë është të qenit të kujdesshëm, pasi po mendohet për të ardhmen. “Nuk mund ta përballojmë konkurrencën në lidhje me shpenzimet e mëdha në merkato. Duhet të tregohemi sa më të kujdesshëm dhe përzgjedhës. Nuk do të kishim aspak sukses në këtë lloj gare me rivalët tanë. Nuk mund t’i përballojmë dot gabimet e mëdha që do të mund të bënim në merkaton e transferimeve”, tha Gazidis.

Granit Xhaka këndon shqip
Granit Xhaka është blerja më e rëndësishme e Arsenalit për këtë verë deri në këto momente, por gjithsesi dhe ai nuk mund t’i shpëtojë rregullores së klubit, sipas së cilës çdo futbollist i ri duhet të këndojë një këngë përpara të gjithë futbollistëve. Dhe Xhaka e kaloi me sukses provën duke zgjedhur madje të këndojë shqip përpara shokëve të tij të skuadrës, të cilët duket se e kanë pëlqyer këngën e përzgjedhur nga Graniti. Aktualisht, Arsenali ndodhet në Kaliforni ku po përgatitet për sezonin e ri futbollistik.

Exit mobile version