Arsenali u është rikthyer “kohëve të vjetra”, teksa ka pësuar një tjetër disfatë, kësaj here nga Kristal Palasi i Sem Allërdajsit në ndeshjen përmbyllëse të javës së 32-të të Premier Ligës.
“Topçinjtë” u mposhtën 3-0 edhe pse ndeshjen e nisën më mirë. Një kundërsulm i nisur nga një faull i pretenduar, por i padhënë në dëm të Arsenalit, përfundoi me gol nga ish-mesfushori i Totenhemit, Andros Taunsend.
Me epërsinë e vendasve u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, në momentin më të mirë të Arsenalit, mesfushori francez Johan Kabaj shënoi një supergol pas një pasimi të Zahas.
Arsenali, me gjithë ndërrimet e bëra, nuk rikthehet dot në lojë, teksa portieri i tretë, Martinez shkakton 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të gabuar kundrejt Tounsendit. Nga pika e bardhë Milivojeviç nuk gaboi, duke vulosur suksesin e ekipit të tij.
Kjo disfatë e zbret ekipin e Arsen Vengerit në vendin e gjashtë me 54 pikë, aq sa Evertoni që gjendet një shkallë më poshtë. “Topçinjtë” gjenden -4 nga Siti i vendit të katërt, por kanë një ndeshje më tepër në dispozicion. Kurse Kristal Palasin, fitorja e largon gjashtë pikë nga zona e rënies nga Premier Liga.