Në Universitetin e Tiranës, tarifat e studimit ashtu siç ka theksuar edhe rektori Mynyr Koni, nuk do të ndryshojnë, por do të jenë në të njëjtin nivel me vitin e shkuar akademik. Tarifat në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja. Të gjitha programet e studimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë e kanë tarifën e shkollimit 30 mijë lekë, te Fakulteti i Shkencave të Natyrës të gjitha programet e studimit e kanë tarifën 25 mijë lekë, po ashtu dhe te Gjuhët e Huaja, tarifa është 25.000 lekë në vit. Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Drejtësisë kanë tarifën më të lartë të shkollimit, prej 40 mijë lekësh.
Ndërsa, Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha programet e studimit përfshi edhe programin e studimit që ofrohet në filialin e Sarandës, tarifën e shkollimit për vitin e ri akademik 2016-2017 do ta ketë 35.000 lekë. Universiteti i Arteve e ka tarifën e shkollimit për të gjitha programet e studimit 40 mijë lekë në vit.
Ndërsa Universiteti i Sporteve e ka 35 mijë lekë në vit. Universiteti Politeknik i Tiranës ka diversitet më të madh të tarifave, pasi tarifën më të ulët e ka 25 mijë lekë, më tej ka disa programe studimi me tarifë 30.000 lekë në vit ku përfshihen disa profile të inxhinierisë, si ajo Elektronike, Informatike dhe Telekomunikacioni.
35 mijë lekë e ka vetëm Inxhinieria e Ndërtimit. Ndërkohë, Arkitektura dhe Urbanistika kanë tarifat më të larta të shkollimit prej 40 mijë lekësh në vit. Po ashtu, edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës i variojnë tarifat e studimit nga 25 mijë lekë në vit për një pjesë të madhe të programeve të studimit që ofron deri në 40 mijë lekë, që është tarifa më e lartë e shkollimit dhe e ka programi i studimit Mjekësi Veterinare. Në programin Menaxhim Agrobiznesi këtë vit akademik pritet që studentët të paguajnë 35.000 lekë në vit për të ndjekur studimet, ndërsa për degën Ekonomi dhe Politikë Agrare tarifa do të jetë 30.000 lekë.
Tarifat më të larta të studimit në krahasim me universitet e tjera i ka Mjekësia. Sipas vendimit të Senatit Akademik të këtij universiteti, këtë vit ato variojnë nga 35 mijë lekë deri në 45 mijë lekë në vit. Në programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, me përjashtim të Infermierisë së Përgjithshme, që e ka tarifën 40 mijë lekë, studentët e programeve të tjera do të paguajnë për një vit studimi 35 mijë lekë në vit. Ndërsa tri programet e tjera Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji do ta kenë tarifën 45 mijë lekë.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Durrës, si vitin e shkuar edhe këtë vit do të ruajë tarifat e unifikuara për të gjitha programet e studimit, pra pagesa që do të bëjnë studentët për të studiuar në këtë universitet është 25 mijë lekë. Po ashtu, tarifën e studimit prej 25.000 lekësh në vit për të gjitha programet do ta ketë edhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Universitetet e tjera të rretheve, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër do ta kenë tarifën vjetore të studimit pothuajse për të gjitha programet 20 mijë lekësh.
Qytetari i shkruan Bashës për dy fëmijët me mesatare 9.2
“Një hall familjar dhe kombëtar që i nxjerr bojën të gjitha llogjeve alla Rama”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha në Facebook, pas një letre që i ka ardhur nga një qytetar nga Shkodra, i cili edhe pse i ka dy fëmijët të shkëlqyer me rezultate, nuk mund t’i dërgojë në universitet për shkak të tarifave të larta.
“Partia Demokratike do të financojë arsimin e lartë për të gjithë fëmijët e shqiptarëve dhe me lehtësira të posaçme për kategoritë në shtrëngesë ekonomike. Projektligji i ri i Arsimit të Lartë është në përfundim dhe do të jetë ndër të parët që do të miratohen nga mazhoranca e re. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shkruan Basha në Facebook.
Letra e mbërritur në adresë të kreut të PD-së, Lulzim Basha:
“Për dijeni zotit Lulzim Basha, kryetar i PD të Shqipërisë,
Jam një qytetar i shqetësuar që ju shkruaj për një problem, i cili duhet të merret parasysh pasi është një problem i mprehtë i shumë familjeve shqiptare.
Në këtë vit shkollor akademik, të dy fëmijët e mi bëhen studentë dhe në bazë të notave të marra njëri nga ata e ka mesataren 9.92, kurse tjetri një mesatare mbi 9 dhe shpresoj që në bazë të kësaj mesatareje duhet t’u dalin degë të mira në fakultet. Por shqetësimi im qëndron diku tjetër.
Në bazë të ligjit për arsimin e lartë të dy fëmijët e mi duhet të paguajnë një tarifë shkollimi që shkon afërsisht nga 500-1 milion lekë të vjetra. Por unë jam një familje me ndihmë ekonomike, e papunë, e cila përkohësisht gjendet në një pozicion të vështirë ekonomik dhe e kam pothuajse të pamundur që fëmijët e mi të paguajnë qoftë edhe tarifën e shkollimit, e cila i kalon mundësitë e mia ekonomike.
Ju lutem a mund të planifikoni ose të sugjeroni ndonjë ligj apo VKM, i cili të na lehtësojë sadopak këtë barrë të pamundur ekonomike?
Gjithsej nga ndihma ekonomike mujore, unë si qytetar i këtij vendi, marr 45 mijë lekë të vjetra, shumë e cila po të mblidhet dhe për gjithë vitin nuk e superon, bile nuk e arrin as shumën e regjistrimit të njërit prej fëmijëve.
Ju lutem vereni dorën në zemër. Edhe ne jemi qytetarë të këtij vendi dhe shpresojmë që me politikat e qeverisë suaj për punësimin, kjo gjendje e vështirë të marrë fund sa më shpejt, por gjer atëherë kërkojmë dhe shpresojmë ndihmën e qeverisë suaj dhe tonës njëkohësisht.
Me respekt një qytetar nga Shkodra, prind i dy fëmijëve që presin të shkojnë në universitet”.