Arsimi publik do të financohet nga buxheti, tarifat do të ulen ndjeshëm

Lulzim Basha ua premtoi drejtpërdrejt studentëve të Elbasanit, anulimin e ligjit të Arsimit të Lartë që në ditën e parë si kryeministër. Kryetari i opozitës tha se me këtë ligj, studentët dhe familjet e tyre e kanë lakun në fyt nga pamundësia për të paguar tarifat e kripura. Basha: Kjo merr fund më 25 qershor me votën tuaj për Republikën e Re, e në veçanti me votën e maturantëve, sepse do të jetë gjenerata e parë që me votë do t’i japë fund republikës së politikanëve dhe do vendosi këtu republikën e qytetarëve dhe të rinjve. Republika e të rinjve do të thotë anullim ditën e parë, orën e parë te Dëshmorët e Kombit, siç e kam premtuar. Jo brenda në zyrë, por aty do të vendosim një tavolinë dhe do t’i ftojmë të gjithë ata që janë viktimizuar me të padrejtë nga ligji për Arsimin e Lartë. Studentë dhe pedagogë do të anullojnë ligjin për Arsimin e Lartë. Basha prezantoi edhe rrugëzgjidhjet që ka në programin e tij. Një ndër to është dhënia e mundësisë çdo studenti për t’u arsimuar, edhe nëse nuk ka mundësi për të paguar. Basha: Thelbi i ligjit të ri do të jetë ky: Së pari, nuk do të ketë asnjë djalë apo vajzë, asnjë bir apo bijë shqiptari që të mbetet pa shkollë të lartë për shkak të pamundësisë ekonomike të prindërve dhe familjes së vet. Kjo merr fund. Institucionet publike të Arsimit të Lartë, universitetet publike shqiptare do të kenë mjaftueshëm vende që dëshiron dhe ka meritën të ndjekë shkollën e lartë. Së dyti, tarifat universitare nuk do të trajtohen siç është trajtuar gjithçka këtu. Universitetet publike do të kenë tarifa të përballueshme, të ulura, tarifa, të cilat do të mundësojnë që të mos ketë kokëdhimbje dhe dilema as prindi as studenti sa i përket ecurisë së tre viteve Bachelor dhe Masterit. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, tha Basha arsimi publik do të financohet nga buxheti i shtetit, dhe tarifat do të ulen ndjeshëm. Duke folur për arsimin nga qyteti i Elbasanit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli për programin e Republikës së re për arsimin. Në fjalën e tij, Basha deklaroi se do të mbështetë universitetet publike me financime dhe se do t’i japë më shumë pushtet studentëve në vendimmarrje. Ndër të tjera, kryedemokrati thumboi dhe kreun e Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdinin, duke u shprehur se e ka zënë hashashi në pleqëri. “Arsimi i Lartë financohet nga buxheti, pra buxheti janë të ardhurat që mblidhen nga prindërit tuaj, pra e paguani një herë. Secili paguan TVSH me ushqimet, me ujin, me shërbimet, 20% shkon tek shteti. Të gjithë paguani taksa dhe nga këto taksa mblidhet buxheti. Vetëm me TVSH mblidhen 1.6 miliard euro në vit. Lekët që kanë marrë nga taksat nuk i kanë çuar për arsimin. Tani thonë do të kalojmë në një financim të avancuar, t’ju marrin edhe një herë lekë me tarifa të kripura. Lali fiku ka shpikur taksën e shkollës. A e ka shpik dhe Lala? E ka zënë hashashi ë, hashashi në pleqni s’ke ça të bësh”, tha Basha.

Exit mobile version