Nga Red VARAKU
Ajo që sa vjen edhe bëhet më e qartë vetëm dy javë para zgjedhjeve të 25 prillit është paaftësia dhe pafuqia elektorale e mazhorancës për të shkuar tek qytetarët .
Kjo për arsyen e thjeshtë se dy javë para zgjedhjeve është pikërisht momenti më kritik i fushatës, sepse është momenti kur vetë struktura e shikon me sytë e saj realitetin dhe kupton dhe ndjen humbjen apo fitoren bazuar në këtë realitet.
Është momenti kur kupton që nuk e ‘çan’ dot rezistencën qytetare dhe momenti kur përballet me refuzimin e prerë kundrejt ofertës elektorale qofshin këto premtime, qofshin këto para. Është momenti i llogaridhënies në të gjitha kuptimet .
Demoralizimi i strukturave politike dhe pafuqia e makinerisë elektorale dy javë para zgjedhjeve është gjithmonë një fenomen tipik elektoral. Për ata që kanë memorie ky fenomen i ndodhi dhe PD në zgjedhjet e qershorit të 2013, ku dy javë para gjithçka dukej se kishte marrë rrugë.
Të gjithë jemi dëshmitarë të spektaklit dhe entuziazmit me të cilën kjo mazhorancë nisi fushatën.
Të gjithë e mbajmë mend patetizmin e kryeministrit ditën e nisjes së fushatës, por gjithashtu njëkohësisht të gjithë po e shohim dhe po e ndjejmë zbythjen e saj, demoralizimin e mbështetësve dhe pafuqinë e kësaj makinerie prej asaj dite.
Lodhja dhe pafuqia e rilindasve këto ditë në fakt nuk do një sy të mprehtë për tu evidentuar. Ajo nuk lexohet qartë vetëm në ngërdheshjet dhe spazmat histerike të kryeministrit, por lexohet qartë edhe në zhgënjimin dhe dëshpërimin që vërehet në fytyrat e vetë rilindasve në takimet elektorale me protokoll funerali.
Gjithsesi, ky duket se është vetëm fillimi i rënies në kolaps të makinerisë elektorale të PS, sepse rënia perfundimtare e struktures dhe bllokimi i saj nuk ndodh tani.
Ajo ndodh vetëm disa ditë para zgjedhjeve dhe kur ndodh shkërmoqet totalisht.