Dhjetë prokurorët të cilët Arta Marku i ka vënë nën hetim disiplinor i janë përgjigjur kryeprokurore. Në një letër të hapur për mediat dhe ambasadat, prokurorët thonë se Arta Marku nuk ka kompetenca për ti vendosur ata nën hetim disiplinor.
Deklarata e plotë e prokurorëve:
Tiranë, më 21 Shtator 2018
Deklaratë
Drejtuar: Mediave të pavarura të Republikës së Shqipërisë
Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Shqipërisë
Misioni PAMECA
Përfaqësisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri
Në vijim të njoftimit të datës 19.9.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme (referuar më poshtë si ‘Njoftimi’ ) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda (referuar më poshtë si ‘PKR’), të cilët përfaqësojnë shumicën e prokurorëve të PKR, për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit dhe për hir të bërjes transparente të fakteve, ne, prokurorët e poshtë-shënuar kemi përgatitur këtë deklaratë, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe çështjeve ligjore të lidhura me të, si më poshtë vijon:
Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qenë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditë në orën 15.00, pa u njoftuar për objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr. 97 ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, i cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës.
Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018 në orën 9.00 nga drejtuesja, për shkak të mungesës së disa prokurorëve. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR.
Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr. 26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë. Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.
Hedhja e shortit, dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Një kërkesë e tillë, cenonte parimet e nenit 6 të Ligjit nr. 97 ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’ në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e prokurorëve, aq më tepër në një fazë të tillë të procesit, kur hetimi, akuzat, debati gjyqësor, qëndrimet mbi vlefshmërinë e provave dhe vlera e tyre provuese ishin kryer nga prokurorë të tjerë të çështjes.
Argumentimi ligjor, parimor dhe mbi baza etike nga shumica e Prokurorëve, nuk u mor parasysh nga drejtuesja e komanduar e PKR, e cila kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të debatit, duke nisur procedurën e hedhjes së shortit.
Duke u ndjerë në kushtet e paligjshmërisë së procesit, pjesa më e madhe prokurorëve, e përbëre nga 9 prej tyre, pasi paraqitën argumentet e tyre, dhe në mungesë vullneti nga drejtuesja e PKR për të diskutuar profesionalisht ligjshmërinë e procesit dhe argumentet, u larguan nga shorti.
Në të njëjtën ditë, më date 19 Shtator 2018, grupi i 10 (dhjetë) prokurorëve u njoh me Njoftimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, për nisjen e një procesi disiplinor kundër tyre vetëm nëpërmjet Mediave.
Njoftimi në fjalë është në kundërshtim me ligjin; Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të nisur procedim disiplinor deri në krijimin e organeve të reja (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), ndërkohë që vendimi i Gj. Kushtetuese nr. 34, date 10.04.2017, ka shfuqizuar nenet 101 e vijues të Ligjit nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’.
Në vijim, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në kundërshtim me ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, ka urdhëruar transferimin e përkohshëm në Berat, Pogradec dhe Kukës të prokurorëve Olsian Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj.
Për të garantuar pavarësinë e magjistratëve dhe mbrojtjen nga presionet mbi punën e tyre, ligji në fjalë nuk lejon asnjë transferim apo komandim të magjistratëve pa pëlqimin e tyre. Përmes këtij veprimi antiligjor me natyrë ndëshkuese, cenohet tërësisht pavarësia e magjistratëve duke krijuar një precedent të rrezikshëm pasi e kthen organin e prokurorisë në modelin e vjetër hirearkik dhe të centralizuar, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e tjera të reformës në drejtësi.
Sa më sipër vlerësojmë dhe besojmë se kjo deklaratë, është në interesin e transparencës së punës së institucionit të Prokurorisë dhe i shërben zgjidhjes ligjore të rastit në fjalë. Cenimi i parimit të pavarësisë së prokurorëve, dëmton rëndë punën e këtij organi dhe ul besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë.
Prokurorët
Olsian Çela
Përparim Kulluri
Arens Çela
Edvin Kondili
Pranvera Pustina
Eugen Beçi
Sonila Muhametaj
Blerim Tominaj
Besim Hajdarmataj
Behar Dibra